Kosova

Pesë spitale regjionale pa asnjë mjekë të kirurgjisë  


Klinika KIrurgjike në QKUK

Spitali i Pejës dhe Prizrenit, janë dy spitalet regjionale që e kanë nga një mjek të kirurgjisë vaskulare, ndërsa pesë spitalet e tjerë nuk e kanë asnjë dhe nuk kryejnë operime të venave varikoze.

Sipas raportit të publikuar nga Zyra e Auditorit, të gjithë pacientët nga të gjitha regjionet detyrohen që të vijnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për t’u trajtuar për sëmundjen e sistemit vaskular.

“Spitali i Pejës dhe Prizrenit janë dy spitalet regjionale që e kanë nga një mjek të kirurgjisë vaskulare ndërsa pesë spitalet tjera nuk e kanë asnjë dhe nuk mund të kryejnë operime të venave varikoze”.

“Prandaj të gjithë pacientët nga të gjithat regjionet, përfshirë edhe regjionin e Pejës dhe Prizrenit, kërkojnë trajtim në klinikë në QKUK e kjo e rrit edhe më shumë numrin e pacientëve në listë të pritjes”, thuhet në raport.

Ndërsa edhe për Klinikën e Ortopedisë është thënë se nuk kryhen disa operacione si “Ligamentoplastika dhe artroskopia e krahut”, “tumoret e natyrës malinje”, “skoliozat”, “politrauma duke përfshirë edhe pelvikun”.

Në raport sqarohet se këto ndërhyrje kirurgjike nuk mund të realizohen në klinikë për shkak se asnjëri nga 36 mjekët e klinikës nuk janë të trajnuar dhe nuk kanë ekspertizën e nevojshme për të kryer këto lloje të ndërhyrjeve kirurgjike.

Gjithashtu, thuhet se një numër i caktuar i stafit mjekësor largohet për çdo vit nga sistemi shëndetësor publik në mënyrë vullnetare, duke thënë se arrinin në moshën e pensionimit ose edhe për arsye të tjera.

Nga ky fenomen më së shumti është prekur Klinika e Anesteziologjisë.

“Gjatë periudhës 2019-2023, nga kjo klinikë u larguan 29 anesteziologë. Në vitin 2019 klinika kishte pasur 64 anesteziolog ndërsa aktualisht ka 49. Kjo humbje e konsiderueshme e stafit ka pasur ndikim negativ në aftësinë e klinikës për të funksionuar në mënyrë efektive”, thuhet në raport.

Ndërsa përmendën edhe mënyrat që janë aplikuar për t’i zëvendësuar mjekët e larguar.

“ShSKUK/QKUK gjatë viteve 2019-2023 kishin zhvilluar dy procese të rekrutimit dhe kishin arritur të rekrutojnë 23 anesteziologë, pra nuk kishin zëvendësuar plotësisht të gjithë mjekët që ishin larguar”.

Më 19 janar të 2024-së, Albanian Post kishte raportuar për nevojën që të punësoheshin vetëm katër specialist në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së.

Kjo nevojë urgjente ishte prezantuar nga drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, më 6 maj të 2023-së, por që nuk ishte përgjigjur pozitivisht askush.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore