Kosova

Kurti gjatë qëndrimit në Veri vizitoi edhe Banjën


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, ka potencuar se të mërkurën ka qëndruar në Veri të Kosovës ku ka vizituar fshatin Banjë të Komunës së Zveçanit konkretisht vendin ku u vra zyrtari policor, Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“Sot vizitova të 4 komunat Veriore me shumicë serbe, përfshirë vendin ku u vra polici ynë Afrim Bunjaku nga forcat paramilitare serbe shtatorin e kaluar. E ardhmja e vendit tonë është e drejtë dhe përgjegjësi e të gjithëve dhe së bashku do të punojmë për një të nesërme të ndritshme”, shkroi Kurti.

Kurti, të mërkurën, ka vizituar Komunën e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Ai fillimisht ka takuar kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Pas Leposaviqit, Kurti ka vizituar Komunën e Zubin Potokut për t’u takuar me kryetarin e kësaj komune, Izmir Zeqirin.

Kurti në Zubin Potok ka përuruar pllakën përkujtimore e ndërtuar për nder të policit kosovar, Enver Zymberi, në vendin ku ky i fundit u vra në vitin 2011.

Të pranishëm në ketë përurim përveç Kurtit, ishte edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, Ministri i Punëve te Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kryeministri ka vizituar edhe Komunën e Mitrovicës së Veriut, ku takoi kryetarin e kësaj komune, Erden Atiq.

Nga këtu ai deklaroi se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Në vlerësimin e Kurtit, Bislimi nuk mund të negociojë për rregulloren e BQK-së, meqë kjo e fundit është institucion i pavarur, e Kosova nuk është vend autokratik sikur Serbia.

“Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK-së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore”, tha ai në një prononcim për media në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Edhe në Zveçan e Zubin Potok mblidhen nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e kryetarëve

Për vizitën e Kurtit në komunat e Veriut reagoi Lista Serb, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Lista Serbe tha në një komunikatë për media se vizita e Kurtiz ka për qëllim “destabilizimin e situatës në terren dhe shkaktimin e tensioneve”.

“Është më se e qartë se me ardhjen e tij, ai donte të provokonte reagimin e popullit serb dhe të paraqitej si viktimë për të fituar disa pikë politike, apo vota për zgjedhjet e ardhshme”, tha Lista Serbe.

Vizita e Kurtit në Veri u kritikua edhe nga i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili pretendoi se vizita e Kurtit ka për qëllim “rritjen e tensioneve të reja” në Veri të Kosovës.

“Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në Veri, ku nuk është i mirëpritur. Veprimi i Kurtit shkaktoi revoltë dhe indinjatë te serbët të cilët e shohin atë si një pushtues që i keqtrajton çdo ditë”, pretendoi Petkoviç.

Pas Leposaviqit, Kurti vendos lule në pllakën përkujtimore të Enver Zymberit në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore