Gatimi

Hummus Libanez, shija e huaj në vendin tonë


Hummus libanez i përgatitur në shtëpi është shumë i lehtë për t’u bërë. Ai është mjaft i shijshëm, i shëndetshëm dhe kërkon vetëm disa përbërës të thjeshtë.

Shija e tij unike vjen nga tahini, një pastë e trashë e përbërë nga fara susami. Ai mund të gjendet në supermarket dhe është shumë i ushqyeshëm.

Hummus është i pasur në proteina dhe vitaminë C, dhe është një burim i shkëlqyer i vitaminës B6.

Përbërësit: 500 gr qiqra, 1 ½ litër ujë, 100 gr tahini, 100 ml vaj ulliri, 70 ml lëng limoni, 3 thelpinj hudhre, 2 lëkura limoni, 1 lugë çaji kumin, pak piper pikant.

Përgatitja

Së pari marrim një enë dhe e mbushim me ujë. Në të vendosim qiqrat, të cilat duhet të qëndrojnë në ujë për 12 orë.

Enën e vendosim në zjarr për t’u zier, deri sa qiqrat të jenë zbutur mirë. Për të kontrolluar nëse janë zier, shtypni një prej kokrrave me gisht. Nëse shtypen lehtë dhe ndihen të buta, atëherë janë bërë dhe mund t’i heqim.

Thajmë qiqrat në një enë dhe një pjesë të lëngut e ruajmë, sepse mund të na nevojitet më vonë. I vendosim në multi–mikser, shtojmë kuminin, lëngun dhe lëkurën e limonit, vaj ulliri, hudhër, piper, tahini dhe pak ujë nga qiqrat (nëse e shohim të nevojshme).

E përziejmë shumë mirë, deri sa të formohet një masë kremoze.

E provojmë që të ketë shijen që na pëlqen. Nëse është ashtu siç duhet, e vendosim në një kupë dhe i hedhim sipër pak spec djegës, përsëri vaj ulliri, limon, kumin dhe qepë (sipas dëshirës dhe shijes).

E shërbejmë menjëherë ose e mbulojmë dhe e ruajmë në frigorifer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore