Gatimi

Fileto pule e mbushur me mozzarella, shpejt dhe mirë


Receta bashkon shijen e freskët të domateve dhe borzilokut me djathin e shkrirë të mozzarellës brenda filetove të pulës. Kjo krijon një pjatë shumë të shijshme me pak përbërës. Mund ta gatuani shumë shpejt dhe përgatisni një vakt fantastik në pak minuta.

Kjo recetë rekomandohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 4 fileto pule nga 200 gr secila, 200 gr mozzarella, 200 gr domate të thara, 70 ml uthull, 6 thelpinj hudhre, 1 domate e vogël, 2 lugë vaj domatesh të thara, 1 lugë sheqer kaf, disa gjethe borziloku, kripë, piper, pak rigon.

Përgatitja

Në fillim ngrohim furrën në temperaturën 200 gradë. Me ndihmën e një thike hapim në mesin e filetos një xhep, duke bërë kujdes që të mos prishet forma.

Përziejmë erëzat dhe i përdorim për të lyer filetot e pulës.

Për mbushjen e filetos presim mozzarella dhe domatet në formë kubike.

Hapim me kujdes fileton dhe e mbushim me mozzarella dhe domatet e prera. Kujdesemi që xhepi të mbyllet duke vendosur si mbajtës shkopinj të vegjël.

Vendosim në zjarr një tigan, ku kemi hedhur pak vaj ulliri. Shtojmë filetot e pulës, të cilat më vonë do të vendosen në furrë.

I skuqim filetot nga të dyja anët deri sa të marrin ngjyrë të artë.

Në një enë të re shtojmë thelpinjtë e hudhrave, uthullën dhe sheqerin kaf. Pasi i kemi përzier mirë, i hedhim në tiganin ku po skuqim filetot e pulës.

Tiganin e fusim në furrë dhe e lëmë në të njëjtën temperaturë për 15 minuta.

Pasi është pjekur, e vendosim në pjatë dhe e shoqërojmë me gjethe rukola, pure patatesh ose oriz të zier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore