Kosova

Kurti mbështet mbylljen e Klan Kosovës: Zbatimi i ligjit kundër njerëzve që shkelin atë s’përbën sulm ndaj medias


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përkundër reagimeve të shumta të ambasadorëve të shteteve më të fuqishme në Kosovë, organizatave vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të mediave, e shoqërisë civile, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbrojtur vendimin që mori të premten Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku refuzoi ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti fillimisht tha se “liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë”, duke shtuar se “demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare”.

“Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë”, sipas tij, “në asnjë mënyrë nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”.

“Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre”, shtoi ai.

Kosova, pohoi kreu i ekzekutivit kosovar, “ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive”.

“Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një ‘teknikitet’. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, mendon ai.

Si rrodhi ngjarja?

Në orët e pasdites të së premtes Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi se kishte refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Sipas njoftimit të MINT “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej ndër të tjera në njoftim.

Ndërsa, u bë me dije se ministria pas këtij vendimi ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj.

“Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës”, potencohej në njoftimin e ministrisë.

Pas këtij vendimi, “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.

Kundërshtimi i QUINT-it

Ambasadat e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, të njohura ndryshe si vendet e QUINT-it, kundërshtuan vendimin që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mori për të refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Përmes një komunikate zyrtare, vendet e QUINT-it thanë se shprehin shqetësimin e tyre “të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës”.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë”, pohuan ata, duke shtuar se “revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz”.

Ndërkaq, nga QUINT-i u theksua se “liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”.

“Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, përfunduan reagimin e tyre.

Çka ndodhi me Klan Kosovën?

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.

Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.

Kundërshtohet vendimi i pushtetit për të mbyllur Klan Kosovën – Krejt çka ndodhi dje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore