Kosova

Votohet Qeveria e Kosovës – Albin Kurti sërish kryeministër


Qeveria e re e Kosovës

Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është zgjedhur kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Bashkë me Kurtin janë votuar edhe 15 ministrat e qeverisë së re “Kurti 2”.

Kurti zgjedhet kryeministër pas një fitore të paprecedentë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 50 për qind të votës popullore.

Kurtit vetë, meqë kishte një dënim të formës së prerë, iu pamundësua të jetë në listën e Vetëvendosjes, por kjo nuk ka luajtur rol dhe partia e tij shënoi fitore me distancë të madhe nga partia e dytë.

Kjo qeveri e votuar sonte, 22 mars 2021, është qeveria e parë në Kosovën e pasluftës që s’ka pasur nevojë për koalicion paszgjedhor, meqë votat janë siguruar nga deputetët e Vetëvendosjes dhe komunitet jo shumicë (veç serbëve).

Kurti nuk ka marrë asnjë votë nga partitë opozitare tashmë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeverinë e Kurtit nuk e ka votuar as Lista Serbe.

 

Përbërja e Qeverisë së re

Qeveria e Albin Kurtit do të ketë 15 ministri dhe tre zëvendëskryeministra.

Nga 18 anëtarët e kabinetit qeveritar 1/3 janë gra – gjashtë. Ndërsa nga 15 ministri, tetë janë ministra nga Vetëvendosje, kurse shtatë jashtëpartiakë.

 

Fjala e kryeministrit

Kurti, krejt në fillim të seancës, ka mbajtur një fjalim ku ka prezantuar ekspozenë e tij.

Ai ka thënë se synim e ka që në Kosovë të mos jetë “asnjë fëmijë i uritur”, “as në familjet e varfra”.

Ka folur në terme të përgjithshëm edhe për pjesë të tjera të programit të tij.

Ka përmendur pandeminë si urgjencë dhe detyrë e menjëhershme e qeverisë së tij.

Një pjesë të konsiderueshme është ndaluar edhe tek ekonomia.

Për bujqësinë gjithashtu ka premtuar rritje të subvencioneve.

Fuqizimi i grave dhe kultura më pas kanë qenë çështjet të cilat Kurti tha se i kanë prioritet.

Ai ka thënë gjithashtu se do ta padisin shtetin e Serbisë për krimet e luftës së fundit në Kosovë.

Aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka quajtur “jetike”, derisa më pas ka folur edhe për rëndësinë e dialogut me Serbinë.

Ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin, ndryshe “nuk mund të ketë normalitet të raporteve mes dy vendeve”.

“Le të normalizohet Serbia dhe ta shpallë edhe ajo pavarësinë e saj nga Kosova, siç e kemi shpallur ne pavarësinë nga Seria”.

 

Opozita kundërshtuese

Qeveria e re dhe vetë kryeministri Kurti është kundërshtuar nga të gjithë liderët dhe anëtarët e partive politike opozitare.

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, tha se vëren arrogancë numrash te pozita e re dhe i kujtoi Kurtit se ai më nuk është lider partie, por kryeministër i të gjithëve, ndaj sjelljen duhet ta ketë përkitazi me këtë rol.

“Arroganca e numrave na shpie tek polarizimi i mëtejmë shoqëror që tash e sa kohë nuk e lë vendin të marrë frymë lirë. Kosovës i duhet stabilitet. Tre palë zgjedhje në katër vjet kanë prodhuar pasiguri të madhe në vend”, pohoi Abdixhiku.

Ndërsa Enver Hoxhaj i Partisë Demokratike të Kosovës tha se nuk pret asgjë nga qeveria e ardhshme e Albin Kurtit.

Kjo sepse, siç pohoi Hoxhaj, e ka parë Kurtin një herë në qeverisje dhe nuk është impresionuar fare.

Sipas Hoxhajt, qeveria Kurti 1, ishte “qeveri e papërgjegjshme, e paaftë, e paplan, për t’i vlerësuar sfidat e brendshme dhe të jashtme”, ka deklaruar Hoxhaj në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme.

Koalicionin e Kurtit me listën e Vjosa Osmanit e ka quajtur “koalicion karrigesh”.

Ndersa Besnik Tahiri i AAK-së pohoi se “refuzojnë ta votojnë qeverinë”, pasi që, sipas tij, “ajo ka një qasje arbitrare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore