Lajme

Haradinaj: Mashtrimi i Kurtit ka elemente të tradhtisë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kryemisistri i Kosovës, Albin Kurti, ka mosbesim deri në pabesi.

“Mosbesim deri në pabesi. Kryeministri Kurti, dikur si udhëheqësi i LVV-së ka ngjallur mosbesim të brendshëm”.

Tutje, ai tha se Kurti “në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim me ndërkombëtarët, në veçanti me ShBA”.

“Si rezultat i pabesive të Kurtit po ndodhin ndëshkime. Mashtrimi i Kurtit ka elementë të tradhtisë”, shtoi ai.

Ndërkaq, kreu i AAK-së potencoi se veprimet e Kurtit i ka kuptuar gjatë kohës sa ishte në opozitë, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të lejohet sipas tij “kur je në pushtet”.

“Në opozitë kam mundur ta kuptojë se është në luftë për pushtet, por kur je në pushtet vazhdimi i kësaj poshtërise deri në armiqësi po i sjellë Kosovës pasoja të brendshme. Ai është sinonim i poshtërimit deri në pabesi”, shtoi ai.

Haradinaj vlerëson se kreu i ekzekutivit kosovar është duke i mashtruar edhe aleatët e Kosovës, e kjo si pas tij përbënë edhe “tradhti”.

“Kryeministri Kurti po vazhdon me i mashtrua edhe aleatet tonë, mashtrimet e tij shkojnë në tradhti, tradhti e llojit te vet. Po mos harroni është detyra jone e njerëzve te Kosovës, qe te logjikojmë dhe te reflektojmë çka na ndodhë”, pohoi ai.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës nga e gjithë kjo situatë e tanishme, përfiton vetëm Federata Ruse dhe presidenti i saj Vladimir Putin.

“Ju lutem, kush po fiton nga kjo, përveç Putinit dhe Rusisë nga ky mosbesim nga aleatet tonë. Dhe kush fiton nga mashtrimi i aleatëve tonë deri në tradhti, fiton Serbia fitojnë ato bandat qe i numërojë këtu vetë Kurti”, shtoi ai.

Po ashtu, ai përsëriti kërkesën që e ka bërë që disa ditë, që të shkohet në mocion mosbesimi, siç thotë ai “ta shkarkojmë qeverinë Kurti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore