Kosova

Amerika dënon aksionin e policisë ne Veri


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter ka reaguar pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Top-diplomati amerikan ka dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës.

Sipas tij masat dhunshme të autoriteteve kosovare duhet të ndërpriten menjëherë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në këto dy komuna Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Ndryshe në Komunën e Leposaviqit situata është më ndryshe, pasi në disa pika atje janë ngritur tashmë barrikada nga serbët lokal.

Barrikadat, sipas raportimit të mediave, janë vendosur edhe në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Komunës së Leposaviqit.

Serbët në Kosovë kanë shkarkuar edhe zhavorr në njërën anë të rrugës që të shpie te Komuna e Leposaviqit.

Qeveria, pa pajtimin amerikan, e vendosur t’i kthejë objektet komunale në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore