Gjykata Speciale

Mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së paraqet shqetësime lidhur me zhvillimin e seancave të mbyllura


Mbrojtësi i Thaçit, avokati Gregory Kehoe

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së enjtes, në gjykmin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, mbrojtja e të akuzuarve ka shfaqur shqetësime lidhur me zhvillimin e procedurave në seanca të mbyllura.

Mbrojtësi i Thaçit, avokati Gregory Kehoe tha se për shkak të urdhrit të trupit gjykues për zhvillimin e seancave private apo të mbyllura, dëshirojnë të paraqesin disa vështirësi.

Ai ndër të tjera bëri të ditur se janë kundërshtuar të gjitha masat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) edhe për masa mbrojtëse.

“Dua të tërheq vëmendjen që jo vetëm e kundërshtojmë, po kemi shqetësime praktike për ndjekjen e praktikës së ZPS-së’’, tha ai.

Ai konsideron se ZPS-ja ka mundësinë “që të dalin dhe të futen në seancë private sa herë që e shohin të nevojshme”.

Duke thënë, se për ta si mbrojtje kjo paraqet vështirësi që të kalojnë sa në një pyetje në pyetjen tjetër.

Në Gjykatën Speciale është duke vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë.

Marrja në pyetje e dëshmitarit të pestë ka filluar të mërkurën e 17 majit.

Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të mërkurën duke vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit të katërt nga mbrojtja e të akuzuarit Rexhep Selimi.

Një ditë më parë, u intervistua dëshmitari i katërt me kodin – 4748. Të martën e 16 majit ai u intervistua nga avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Dëshmitari i katërt, kishte filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Emmerson më 15 maj në sesionin e pasdites dhe ka vazhduar gjatë ditës së djeshme në sesion privat.

Kurse, të enjten e 11 majit kishin përfunduar pyetjet për dëshmitarin e katërt në sesion privat, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ndërkaq, për të premtën ishte planifikuar të fillojnë kundra-pyetjet nga mbrojtësit.

Gjithashtu, të enjten trupi gjykues kishte rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Krasniqit për përkthimin e shënimeve paraprake të ZPS-së.

Gjatë seancës së 10 majit 2023, mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aidan Ellis, kishte kërkuar që dokumentet e dorëzuara nga Prokuroria, të përkthehen në gjuhën shqipe, pasi që sipas tij Krasniqi “nuk di të lexojë në gjuhën angleze”.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore