Lajme

Grenell “kapet” me Blinken’in, thotë se Marrëveshja e Ohrit s’është bash Marrëveshje


Richard Grenell

Richard Grenell, ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka reaguar ndaj një cicërime të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili shprehej se mbeten të përkushtuar për avancimin e integrimit euroatlantik të dy vendeve pas arritjes së marrëveshjes në Ohër.

Grenell, gjithashtu nëpërmjet një cicërime në Twitter, teksa ka rishpërndarë deklaratën e Blinken-it, me ironi shkroi se megjithatë, asnjëra palë nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e 18 marsit, duke nënkuptuar që pajtimi i arritur mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë nuk është bash marrëveshje.

“Askush nuk e nënshkroi ‘marrëveshjen’… Seriozisht”, shkroi Grenell.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ky dokument i dakorduar në tërësi, të hënën iu paraqit Këshillit Evropian.

Këtij teksti – ashtu sikurse më 27 shkurt – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndryshe, edhe në kohën e Grenell-it ishte nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti aktual Aleksandër Vuçiç. Zyrtarët amerikanë e patën vlerësuar marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore