Kosova

“Një fjali”, po ngujon zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë


Ilustrim

Kosova dhe Serbia thuajse kanë mospajtime në të gjitha fushat, një e tillë, edhe pse mjaft teknike, ka prolonguar me muaj të tërë një marrëveshje të rëndësishme e cila po pret vetëm nënshkrimin e palëve.

Bëhet fjalë për ujdin për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, ironikisht është e ngujuar në një fjali të vetme.

Prishtina e Beogradi nuk po mund të dakordohen për terminologjin e tekstit të kësaj marrëveshjeje.

Kosova në tekstin e marrëveshjes po kërkon që të përdoret termi “zhdukje me dhunë” ndërkaq Serbia po kërkon përdorimin e termit “persona të zhdukur”.

Për këtë tejzgjatje, të martën është shprehur i shqetësuar edhe i deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku mes shumë temave është diskutuar edhe marrëveshja për të pagjeturit.

“Kemi shpenzuar shumë kohë për këtë çështje. Jemi shumë shumë afër të kemi një marrëveshje, jemi një fjalë larg tij”, ka pohuar diplomati sllovak duke shprehur optimizmin se çështja në fjalë do të ketë epilog shumë shpejt.

Siguria e Lajçak se marrëveshja për të pagjeturit mund të marr formën përfundimtare e të nënshkruhet nga palët në ditët e para të vitit 2023, vije pasi që i njëjti si ndërmjetësues ka përpiluar një draft të ri për këtë ujdi duke marrë për bazë mospajtimet e palëve.

Këtë e ka konfirmuar zëvendëskryeministri dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare në bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë raportimit të martën në Komisionin për Punë të Jashtme.

“Tema e të zhdukurve është diskutuar edhe mbrëmë në dark me Lajçak, pritjet janë që dokumenti të nënshkruhet në takimin e parë në mes të krerëve të shtetit që mbahet në janar. Lajçak na ka sjellë mbrëmë një draft të cilin pastaj e trajton Andin Hoti bashkë me ekipin e këshilltarëve në qoftë se ata mendojnë që ne jemi dakord me at formulim atëherë nënshkruhet marrëveshja”, ka bërë të ditur Bislimi.

Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

Kosova fajëson Serbinë

Sa për Kosovën marrëveshja për të zhdukurit ishte nënshkruar qysh në muajin gusht.

Por, mos-konstruktiviteti  i palës serbe ka bërë që çështja në fjalë të mos ketë një epilog përfundimtar.

Kështu të paktën kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ku po raportonte për takimin 18 gushtit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç’in.

“Te tema e personave të zhdukur me dhunë s’ka pasur gatishmëri nga pala serbe të nënshkruhet dokumenti i dakorduar. Për këtë marrëveshje ekziston teksti me përmbajtje të dakorduar por jo edhe nënshkrimi, pa fajin tonë. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjten që shkoi, sa për neve ishte nënshkruar të enjten”, kishte deklaruar Kurti, më 24 gusht, gjashtë ditë pas takimit me Vuçiç’in në Bruksel.

Në anën tjetër kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviç, kishte pranuar se Beogradi po këmbëngul në përdorimin e termit “persona të zhdukur”, sepse termi “zhdukje me dhunë” do të thoshte, sipas tij, se “dikush ka kryer krim lufte” – gjë të cilën Serbia s’e pranon.

Sipas tij, me “zhdukjet e dhunshme” duhet të merren organet e drejtësisë, gjegjësisht ato që merren me procedimin e krimeve të luftës dhe ky term, thotë ai, nuk duhet të përzihet me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Për zhdukjet e dhunshme, përgjegjëse janë shtetet. Prishtina nuk ka qenë shtet, as atëherë dhe nuk është as sot. Ajo nuk ka kurrfarë përgjegjësie për zhdukjet që kanë ndodhur në vitet e 90-ta. I bie se vetëm Serbia është përgjegjëse edhe për zhdukjet dhe vuajtjet e serbëve, por edhe për zhdukjet e të gjithë të tjerëve”, kishte deklaruar Odalloviç.

Me 14 qershor, nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në fshatin Leshan të Suharekës ishin gjetur edhe disa mbetje mortore të cilat i takonin periudhës së luftës së fundit në Kosovë.

Antropologu, Ditor Haliti, i cili mori pjesë në këto gërmime në një bisedë për Albanian Post kishte sqaruar rrethanat në të cilat ishin gjetur eshtrat.

“Gjatë hulumtimit dhe gërmimeve kemi gjetur edhe disa pjesë kockore të tjera të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit. Këto mbetje skeletore janë dërguar në IML ku do të analizohen në mënyrë më të hollësishme”.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

S’i besohet Lajçakut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore