Aplikacione

Tweet-et me gjuhë urrejtje shtohen në temperatura ekstreme, zbulon studimi


Tweet-et me gjuhë urrejtje janë rritur në mënyrë dramatike. Edhe më shumë kur temperaturat janë në ekstrem.

Kështu ka rezultuar në një analizë të katër miliardë postimeve me vendndodhje gjeografike në SHBA.

Studiuesit kanë regjistruar rritje deri në 22 për qind të postimeve raciste, mizogjene dhe homofobike kur temperaturat u rritën mbi 42 gradë Celsius.

Autorja Annika Stechemesser ka treguar se u zbulua se si numri absolut ashtu edhe pjesa e postimeve me gjuhë urrejtje rritet jashtë një zone të rehatisë klimatike.

“Njerëzit priren të shfaqin një sjellje më agresive në internet kur është ose shumë ftohtë ose shumë nxehtë jashtë”, ka thënë ajo.

Hulumtimi përdori algoritme për të identifikuar rreth 75 milionë tweet-e me gjuhë urrejtje në gjuhën angleze në 773 qytete të SHBA midis viteve 2014 dhe 2020.

Këto vëllime të gjuhës së urrejtjes më pas u regjistruan dhe u vlerësuan statistikisht kundrejt ndryshimeve në temperaturat lokale.

Ekipi zbuloi se numri më i ulët i mesazheve abuzive ndodhi kur temperaturat ishin midis 15 deri në 18 gradë Celsius.

Por kur termometrat ranë nën 12 gradë Celsius ose u ngritën mbi 21 gradë Celsius, postimet e urrejtjes filluan të rriteshin.

Tweet-e të tilla shpërthyen në të gjitha zonat klimatike, pavarësisht nga faktorë të tillë si të ardhurat dhe pikëpamjet politike apo fetare.

“Të jesh objektiv i gjuhës së urrejtjes në internet është një kërcënim serioz për shëndetin mendor të njerëzve”, ka theksuar Stechemesser.

“Literatura psikologjike na tregon se urrejtja në internet mund të përkeqësojë kushtet e shëndetit mendor veçanërisht për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara”, ka shtuar ajo.

Thuajse tre të katërtat e grave në mbarë botën thanë se ishin ekspozuar ndaj dhunës në internet në një studim të OKB-së, ndërsa një në katër amerikane me ngjyrë kanë raportuar se janë përballur me ngacmime racore në internet.

Studimi përdori një përkufizim të OKB-së për gjuhën e urrejtjes si “çdo lloj komunikimi në të folur, shkrim ose sjellje, që sulmon ose përdor gjuhë poshtëruese ose diskriminuese në lidhje me një person ose një grup në bazë të fesë, përkatësisë etnike, kombësisë së tyre, racës, ngjyrës, prejardhjes, gjinisë ose faktor tjetër identiteti”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore