Lajme

Kurti refuzon ta komentojë deklarimin e ministrit të tij se “lufta zgjati veç tre muaj”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten është pyetur nga gazetarët për deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati, të bëra vite me parë, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai kujtoi rolin e tij në pushtet, duke theksuar se çështjet e të kaluarës nuk janë prioritet për të.

“Unë jam kryeministër por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri qeveris me vendin për çështje madhore, dhe çka shkruajnë komentuesit për tema të shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”, ka thënë Kurti.

Kurti: Problemi ekziston te paralajmërimet nga Beogradi mund ta kenë trembur pak dikë në Bruksel

Ndërsa sa i përket, çështjes së targave, kryeministri tha se kjo temë ka qenë qysh nga koha e pasluftës.

Sipas Kurtit, Beogradi po bën gabim me paralajmërimin për të dalë nga dialogu, duke u shprehur se këtyre paralajmërimeve u trembën vetëm zyrtarët në Bruksel.

“Jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, me njohje reciproke në qendër. Problemi mbase ekziston te paralajmërimet nga Beogradi se ata do të dalin nga procesi i dialogut. Po bëjnë gabim por kjo mund ta ketë ndoshta edhe pak trembur dikë në Bruksel”, theksoi Kurti.

Ndërsa, ka thënë se emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është i njoftuar për secilin vendim që merret.

“Ne në mënyrë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dymujore për ta bërë një konvertim të tillë i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne. Edhe Lajçak është vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona, e di që ekziston një plan për takim në muajin korrik, edhe të kryenegociatorëve por ndoshta edhe më shumë se aq. Do ta shohim si e sa do të përgatiten në Bruksel për këtë”, tha Kurti.

Hekuran Murati në 2016: Kosova më mirë të angazhonte mercenarë për t’u çliruar, veteranët po na kushtojnë shumë

Nga një përllogaritje që e kishte bërë Hekuran Murati në vitin 2016, aktualisht ministër i Financave, i kishte dalur që Kosovës më lirë do t’i kushtonte të angazhonte mercenarë për ta çliruar Kosovën, sesa çlirimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai, derisa kishte kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës, kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.

Madje, shkruan ai, “edhe mercenar me pas angazhu na kish dalë më lirë”.

Statusi i Hekuran Muratit.

Aktualisht veteranët marrin 170 euro, derisa paga minimale pritet të arrijë në 250 euro.

Kryeministri Albin Kurti e ka thënë në më shumë se një rast se veteranët nuk e meritojnë pagën minimale.

Pas kritikave, ai ka thënë se veteranët mund të meritojnë edhe më shumë, porse një herë duhet të pastrohen listat, sepse nuk janë 60 mijë veteranë ashtu siç aktualisht është numri zyrtar, por janë më së shumti rreth 20 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore