Kosova

Ambasadori zviceran për dialogun Kosovë-Serbi: Kemi shpresë se do të arrihet një rezultat pozitiv


Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, është shprehur se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ketë një përfundim të mirë.

Mirëpo sipas tij, për të arritur deri në këtë pikë duhet të ketë një përfundim të mirë.

“Sigurisht se kemi shumë shpresë se dialogu do të çojë në një rezultat pozitiv. Zvicra në kuadrin e përpjekjeve të BE-së, që BE-ja po i zhvillon, ne gjithashtu po ofrojmë ndihmën tonë. Ne jemi në kontakt të ngushtë me Qeverinë këtu në Prishtinë, siç jemi edhe në kontakt të ngushtë me qeverinë e Beogradit, dhe sigurisht, shpresojmë që më në fund ky dialog të ketë një përfundim të mirë”, tha Kolly.

Tutje ai ka theksuar se është duke kontribuar maksimalisht që të gjendet një zgjidhje për të pasur njohje të ndërsjellët mes dy vendeve.

“Siç më tha një miku im i mirë, le të jemi të guximshëm. Pra, le të jemi ambicioz dhe të guximshëm. Pra, shpresojmë që po (të ketë një marrëveshje finale brenda vitit), ta përfundojmë dialogun në kushte shumë të mira”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Flamuri i Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, më 13 maj, Kosova dhe Serbia s’kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kështu kishte bërë të ditur emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimeve me delegacionet e të dyja shteteve të premten 13 majit në Bruksel.

Sipas tij ka rezultate të përziera duke shtuar se ka pasur progres në temat tjera, përfshirë energjinë.

Edhe, më 21 prill, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte bërë të ditur se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, kishte deklaruar ai para mediave pas takimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraprakisht pati thënë se baza e çfarëdo marrëveshjeje për targat duhet të ketë një parim elementar – reciprocitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore