Shqipëria

Rama në Abu Dhabi takohet me Borrell-in: Zgjerimi, Samiti i Ballkanit Perëndimor në fokus


Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, të premten e 1 tetorit ka bërë me dije se ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Konferencën e Politikave Ndërkombëtare (WPC2021) në Abu Dhabi.

“Ne diskutuam për zgjerimin, Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për rezultate konkrete”, shkruan Borrell në median sociale Twitter.

Borrell ka vendosur theksin te rëndësia për të ruajtur, “vrullin e reformës në rajon si dhe besueshmërinë e BE-së”.

https://twitter.com/JosepBorrellF/status/1443933161503735812

Ndërkohë Rama ka shkruar në median sociale Facebook se, “diskutuam për Samitin e javës së ardhshme mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për panoramën e situatës në rajon”.

Gjithashtu ata kanë folur dhe për konfliktin e hapur mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas kreut një të qeverisë shqiptare, nga kjo e fundit, “është marrë peng edhe Shqipëria”.

 

Nga ana tjetër ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ka përshëndetur takimin mes kreut të Shqipërisë dhe Borrell-it.

Soreca në median sociale Twitter shkruan se, “angazhimi i nivelit të lartë vazhdon përpara Samitit të BE-WB6”. Ambasadori vendosi theksin se ky takim ka ardhur fill pas vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dy ditë më parë.

Kjo e fundit dha mesazhin se, “e ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”.

Rama, të enjten e 30 shtatorit ka udhëtuar drejt Abu Dhabi-t, pasi ishte i ftuar nderi në WPC2021.

Ky është edicioni i 14-të i WPC-së, që do të mbahet nga data 1 deri më 3 tetor.

Në punimet treditore të kësaj konference pritet të marrin pjesë udhëheqës nga e gjithë bota, si dhe ekspertë të fushave të ndryshme me ndikim të rëndësishëm.

Konferenca e Politikave Ndërkombëtare

WPC-ja u themelua në vitin 2008, për t’iu përkushtuar promovimit të një bote më të hapur, më të drejtë dhe të begatë.

Ky takim vjetor i nivelit të lartë, është i krijuar me qëllim që pjesëmarrësit të krijojnë lidhje të qëndrueshme me njëri-tjetrin.

Duke mbledhur së bashku figura kryesore nga të pestë kontinentet, udhëheqës politikë dhe biznesi, akademikë dhe gazetarë, përmes një frymë tolerance, kjo konferencë synon të kontribuojë në të mirën e përbashkët.

Përtej pjesëmarrësve, ky takim ka në fokus ndihmën ndaj popullatave të prekura në një kohë trazirash, të vazhdueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore