Kosova

Në dialogun Kosovë-Serbi, të pagjeturit temë urgjente për SHBA-në


Shtëpia e Bardhë-Uashington

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë besim në të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, se do të arrij synimin e dialogut ndërmjet dy vendeve, pra “arritja e një zgjidhjeje” ndërmjet dy shteteve.

Ndër çështjet që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme sipas të dërguarit të Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Escobar është ajo e personave të pagjetur.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar

“Tema më urgjente (që do të lëvizte gjërat përpara në dialog) është çështja e personave të pagjetur. Kjo është një temë humanitare që nuk duhet të bllokohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike”.

Escobar ka shprehur habinë e tij se pse nuk ka ndonjë dakordancë mes dy vendeve për fatin e të zhdukurve.

“Ka familje që po presin me vite për të kuptuar se çka ka ndodhur me më të dashurit të tyre. Unë thjesht nuk e kuptoj pse për këtë çështje nuk mund të ketë kompromis”, ka thënë Escobar për Radio Evropën e Lirë.

Gabriel Escobar ka marrë postin e Zëvendësndihmës Sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në fillim të shtatorit. Ai në këtë post e pason Matthew Palmerin.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Prishtinë nga 15 deri më 17 shtator 2021, ku ka zhvilluar takime me liderët e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe me ata të partive opozitare në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore