Lajme

Lajçak: Kosova ka bërë përparim të madh në shumë fusha


Emisari i posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak

Emisari i posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Kosovë nga 15 deri më 17 shtator 2021, ka zhvilluar takime me liderët e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe me partitë opozitare në vend.

Diskutimet e tij me zyrtarët kosovar janë zhvilluar rreth hapave të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një komunikatë për media të BE-së thuhet se z.Lajçak mbajti takime thelbësore me dy bashkëbiseduesit e tij kryesorë në Kosovë, Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin të ngarkuar për dialog, Besnik Bislimi.

Në diskutimet e tyre, ata kanë analizuan procesin e dialogut të zhvilluar deri më tani dhe kanë diskutuar hapat e ardhshëm përfshi dhe takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve.

Emisari i posaçëm i BE-së, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, gjithashtu ka takuar edhe Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, udhëheqësit e grupeve parlamentare, si dhe udhëheqësit e partive politike, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listën Serbe (LS).

Në komunikatë thuhet se në takimet e tij, Lajçak ka theksuar rolin e rëndësishëm të parlamentit dhe opozitës në mbështetjen e qeverisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Kosova ka bërë përparim të madh në shumë fusha dhe shumë nga kjo mund t’i atribuohet drejtpërdrejt Dialogut, por vetëm paramendoni përfitimet shtesë që Kosova mund t’i ketë për qytetarët e saj duke arritur një marrëveshje përfundimtare të normalizimit gjithëpërfshirëse me Serbinë”, tha Emisari i posaçëm i BE-së, Lajçak.

Përveç liderëve shtetëror dhe atyre të partive opozitare, Lajçak është takuar edhe me përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve në Kosovë si dhe me studentët për përfitimet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

Pas takimit të dytë me kryeministrin Kurti, emisari i posaçëm i BE-sw, Lajçak ka deklaruar pwr media se është i befasuar pse në Kosovë ka bërë bujë deklarimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se Kosova e Serbia janë dakorduar për hapjen e arkivave shtetërore, edhe për ato që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Lajçaku ka thënë se për këtë çështje s’ka pasur asnjëherë pengesa nga “asnjëra palë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore