Kosova

“Arkiva e UÇK-së është e listuar në Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të luftës në legjislaturën e kaluar”


“Arkivin e UÇK-së nuk e aktualizoji Zëvendës Kryeministri Bislimi”, ka thënë shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, “ai ka theksuar se nuk ka arkiv të UÇK-së, por ka arkiv shtetërore të Kosovës”, ka shkruar ajo në llogarinë e sajë në Facebook.

Kusali Lila ka treguar se në legjislaturën e kaluar në Kuvend u draftua dhe u prezantua projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, ku përfshihet edhe arkiva e UÇK-së.

“Ndërsa, fatkeqësisht, atë e definuan ata që draftuan projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”.

Reagimi i sajë të premten paradite erdhi pas reagimeve të shumta të opozitës, një ditë më parë se Qeveria Kurti po barazon luftën e UÇK-së me atë të agresorit serb.

“Dje e sot, mund të bërtasin, mund të ofendojnë, por mbi të gjitha, duhet të tregojnë, për cilën arkiv si vlerë të luftës e kishin fjalën kur draftuan projektligjin?! Projektligji është dokument zyrtar dhe publik në momentin kur dorëzohet për procedim në Kuvend”, ka shkruar ndër të tjera Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se ishin po këta “të njëjtit akterë dhe të njëjtat grupime politike” në pozitë, mandatin e kaluar kur “vetë draftuan dhe prezantuan Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”.

“Në atë projektligj Neni 3, pika, 1.11 vlerë e luftës është shënuar: Arkiva e UÇK-së”, ka potencuar shefja e grupit parlamentarë të VV-së.

“A kanë menduar sponzorizuesit e projektligjit se të tjerët e lexojnë projektligjin dhe do të kërkojnë informata shtesë për të? Nëse UÇK-ja nuk ka arkiva, pse është listuar arkiva si vlerë e luftës në projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së?”, ka shtuar ajo.

Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar të di se nëse këto arkiva të UÇK-së “ka të bëjë me plane të rezistencës ushtarake, përgatitje me armatim, mobilizim të popullatës për mbrojtje nga agresori policor dhe ushtarak serb” dhe nëse diçka e tillë ekziston, atëherë ajo ka kërkuar që të ndalet fushata politike, si e pa drejtë ndaj tyre.

Më e rëndësishme për të, sic shprehet ajo është fakti që pas 22 vitesh do të hapen arkivat serbe për të zbardhur edhe fatinë  të pagjeturve.

“E për zbardhjen e fatit të tyre, nuk ka dyshime askush se krejt çfarë na duhet janë arkivat e shtetit Serb për krimet e tyre në Kosovë. Dhe nëse është arritur marrëveshja dhe ajo marrëveshje zbatohet për të hapur ato”, ka përfunduar Mimoza Kusari-Lila.

“Jo UÇK-ja s’ka arkiva”, ka deklaruar Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, pas deklaratë së zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se” janë dakorduar me palën serbe për hapjen e arkivave shtetërore, përfshirë edhe ato për UÇK-në”, në takimet e 7 dhe 8 tetorit në Bruksel.

Për hapjen e arkivave të UÇK-së ka reaguar edhe Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri.

Përmes një postimi në Facebook ka thënë se është skandaloze barazimi i arkivave të ushtrisë çlirimtare me atë të një ushtrisë vrastare.

“Skandaloze barazimi i arkivës së një ushtrie vrastare me atë të një ushtrie çlirimtare dështim i pafalshëm i delegacionit te Kosovës në dialogun e Brukselit dje”, ka shkruar Tahiri.

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se me pajtimin për hapjen e arkivave mes Kosovës dhe Serbisë, po barazohet viktima me agresorin.

“As në ëndrrën time më të keqe nuk kam menduar se do ta përjetoj këtë ditë, kur Qeveria e Kosovës legjitimon gënjeshtrat e Serbisë, duke i ngjallur fantazmat serbe kinse për arkiva të UÇK-së”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

“Kjo është barazim i viktimës me agresorin dhe krahasim i UÇK-së me ushtrinë serbe. Gabimet e Qeverisë Kurti në politikën e jashtme janë të përmasave alarmante, duke rrezikuar seriozisht trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare dhe shtetësinë tonë”.

Në një konferencën për media të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, një ditë pas takimin me palën serbe në Bruksel, ai ka potencuar se është diskutuar për gjetjen e modaliteteve për të arritur sa më shpejtë të familjarët e të pagjeturve.

“Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, që sipas tyre nënkupton që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK dhe kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive mund të gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë”, ka theksuar Bislimi.

Në anën tjetër, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se i kanë ofruar qasje të plotë Përfaqësuesit Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në arkivat e Kosovës.

“Me qëllim që të heqim çfarëdo dyshimi që mund të kenë sa i përket ‘shpikjes së tyre për arkivat e UÇK-së’, ka shkruar në Facebook Hoti.

Sipas tij, “arkivat e Kosovës kanë qenë dhe janë të hapura, prandaj marrëveshja është në interesin tonë sepse vetëm na mundëson qasje në arkivat ushtarake të Serbisë, e që është barriera kryesore për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë”.

Por, sipas Hotit, një gjë të tillë do ta bëjë edhe Serbia, duke i hapur arkivat e ushtrisë, “pasi që Serbia ka qenë e organizuar në nivel shtetëror me organet dhe forcat policore e ushtarake, si dhe me njësi paramilitare që kanë vrarë e masakruar anë e kënd Kosovës, duke i kidnapuar e zhdukur me forcë mijëra persona”, ka shtuar Hoti.

“Ne kemi kërkuar qasje të plotë në arkivat shtetërore të Serbisë, veçanërisht në arkivat e ushtrisë dhe policisë gjatë kohës së luftës në Kosovë”.

Ndërkohë drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, deklaroi se “ajo që është e rëndësishme, është, se është bërë përparim në çështjen e personave të zhdukur dhe se Prishtina më në fund e ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së”, gjë ka sjellë reagime të shumta në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore