Kosova

Sveçla: Grupi i tretë prej 131 afganëve, do të vijë të martën


Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjatë të martës së 31 gushtit do të vijnë edhe 131 shtetas tjerë afganë me një fluturim të ri dhe të njëjtit do të akomodohen në ish kampin e Bechtel Enka-s në fshatin Sojevë të komunës së Ferizajt.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendim për mbrojtje të përkohshme të shtetasve afganë të cilët kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se asnjë qytetarë afganë deri më tani nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Sot do të kemi një fluturim të ri që do të sjellë 139 shtetas afganë, bashkëpunëtorë të NATOS dhe të cilët sikurse edhe në dy rastet e mëhershme do të procedohen në ligjet dhe do të strehohen në të njëjtin kamp”, ka thënë Sveçla.

“Në procedurat hynë edhe kontrollet e nevojshme mjekësore, fatmirësisht asnjë nga këta shtetas nuk ka qenë i infektuar me COVID-19 apo nga sëmundjet e tjera që rrezikojnë të tjerët”, shtoi ai.

“Në këtë kuadër tashmë kemi arritjen e dy grupeve të shtetasve afganë, i fundit ka qenë mbrëmë pas mesnatës ku 113 afganë së bashku me familjarët e tyre kanë ardhur, janë proceduar sipas ligjeve dhe janë strehuar apo akomoduar në ish kampin Bechtel Enka”, është shprehur ai.

Sipas tij, vendimet e Qeverisë flasin për strehim të përkohshëm duke qenë se edhe në marrëveshjet me SHBA-të dhe NATO-s “kemi angazhimin dhe zotimin e tyre që këta ofrojnë strehimin e përhershëm por duke qenë se jemi në një situatë emergjentë të kësaj rrethane kanë pasur nevojë për strehim të përkohshëm”.

Se sa do të zgjasë përkohshmëria e qëndrimit të afganëve, dhe cilat janë lokacionet për strehimin e të tjerëve që pritet të vijnë rreth dy mijë shtetas afganë, Sveçla ka thënë se “strehimi i tyre do të zgjasë pak, bëhet fjalë për çështje javësh apo muajsh”.

Tashmë është bërë e ditur edhe lokacioni tjetër ku do të vendosen afganët që pritet të arrijnë në ditët apo javët në vijim në Kosovë.

“Kemi lokacion tjetër tashmë është një pjesë e kampit Bondsteelit operacional në kuptimin e akomodimit”, ka thënë ai.

Sa i përket vaksinimit të këtyre personave, Sveçla ka treguar se kanë filluar përgatitjet.

“Kemi filluar përgatitjet për vaksinimin e afganëve me vaksinën Johnosn & Johnson që është ofruar nga shtetet e NATO-s. Ata e kanë marrë këtë obligim”, theksoi ministri.

Në anën tjetër, Sveçla tregoi për kushtet e ofruara për të cilat ka thënë se “duke qenë se do të jetë qëndrim i përkohshëm këto kushte janë shumë të mira”.

“Do tu ofrohet ndihmë psiko-sociale meqë vijnë nga zonat e luftës. Nuk do të kursehemi me mundësitë dhe kapacitetet tona por barrën kryesore e kanë SHBA-të përfshirë edhe edukimin”, shtoi ai.

Bashkë me 131 afganët që do të vijnë sot, numri i refugjatëve të pranuar deri tani në Kosovë, shkon në 344.

102 erdhën në grupin e dytë të ardhur të hënën në mesnatë dhe 111 në grupin e parë të cilët ateruan në Prishtinë të dielën në ora 20:15.

Në anën tjetër, ministri Sveçla ka diskutuar edhe për orarin 12 orësh të Policisë së Kosovës, për të cilët ka thënë se orët shtesë të punës së tyre do të kompensohen.

“Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, policia tashmë ka kaluar në orar 12 orësh.  Ne si ministri do të sigurohemi që policia të rrisë maksimalisht kontrollet sidomos në hapësirat e mbyllura si qendrat tregtare, fitnesit e gastronomisë. Kërkojmë angazhim maksimal të zyrtarëve policor në mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Do të ketë kompensim për orët shtesë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ministri ka theksuar se do të garantojnë që policia do të angazhohet që të zbatojë masat e qeverisë por edhe do tu përmbahet atyre masave si institucion.

“Ne kemi angazhuar edhe inspektoratin policor të Kosovës, kam kërkuar nga ta që të inspektojnë zbatimin e masave të qeverisë nga policia si dhe sjelljen e zyrtarëve të policisë në raport me këto masa”.

Në të njëjtën kohë, policia do të bëjë kontrollin e personave që tashmë janë në listën e IKSHP si të infektuar me COVID-19.

“Ata të cilët nuk kanë nevojë për trajtim mjekësor të vetë izolohen në shtëpitë e tyre, dhe ata që kthehen në Kosovë të sigurohemi që i përmbahen këtij obligimi”.

Deri në datën 30 gusht, Sveçla ka bërë të ditur se gjithsejtë gjashtë mijë e 807 policë janë të vaksinuar apo 74 për qind e tyre.

Sipas tij, kanë mbetur edhe dy mijë e 375 zyrtarë policor.

“Edhe sot po vazhdon vaksinimi i pjesës së mbetur të policisë, dhe jam i bindur që brenda dy apo tri ditësh do të kemi vaksinim qind për qind të policisë me dozën e parë”.

Ndërsa nga janari i vitit 2021 deri më 30 gusht “janë shqiptuar 112 mijë e 156 gjoba për mos respektim të masave anti-COVID”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore