Përballje

Lille barazon ndaj Saint Etienne, PSG deklason Reims, kampioni vendoset në javën e fundit


Titulli kampion në ligën e Francës, do të vendoset në javën e fundit të kampionatit.

Lideri aktual, Lille, ka barazuar pa gola në shtëpi përballë Saint Etienne, kështu duke ngushtuar në vetëm një pikë diferencën me kampionin në fuqi, Paris Sain Germain.

Edhe pse ndeshjen e dominuan në tërësi, skuadra e Lille nuk arriti të marr më shumë se një barazim, që do të thotë se për ta fituar titullin kampion, do të jenë të detyruar të fitojnë ndeshjen e fundit përballë Angers.

Në anën tjetër Skuadra e Parisit deklasoi ekipin e Reims me rezultat 4:0.

Skuadra e Reims, mbeti më një futbollist më pak në fushë që në minutën e 10-të pasi mbrojtësi maroken Abdelhamid, u përjashtua me karton të kuq, i cili shkaktoi një penallti, që më pas e konkretizoi Neymar.

Për rezultatin e dyfishtë të pjesës së parë, mendoi Kylian Mbappe, i cili shënoi në minutën e 24-të pas një gabimi nga mbrojtësit kundërshtarë.

Në pjesën e dytë, parisienët shënuan edhe dy herë të tjera, fillimisht përmes Marquinhos në minutën e 68-të, më pas zëvendësuesi Moise Kean realizoi pak momente para përfundimit të takimit.

Kujtojmë që në këtë sfidë, për skuadrën e Reims, nga minuta e 56-të, u paraqit edhe futbollisti i Kosovës, Arbër Zeneli.

Me këtë fitore, Parisi mbetet në vendin e dytë në tabelë, me një pikë më pak se Lille, derisa ndeshjen e fundit do ta zhvillojnë përballë Brest.

Fitore siguruan edhe Monaco e Lyon, të cilat janë duke luftuar një garë të ashpër për zonën Champions.

Monaco e mposhti Rennes në shtëpi me rezultat 2:1, derisa Lyon fitoi si mysafir i Nimes, me rezultat 2:5.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore