Kosova

31 oficerë të rinj i shtohen FSK-së


Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 31 oficerë të tjerë.

Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se oficerët e rinj tashmë janë të gatshëm për udhëheqje dhe do të jenë shtylla përmes së cilës do të ndërtohet FSK-ja.

“Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë”, tha Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ndër të tjera ai ka thënë se bashkëpunimi që kanë krijuar me vendet tjera është rezultat i vlerave që përfaqësojmë.

“Bashkëpunimi i qëndrueshëm që kemi krijuar me shtetet partnere është si rezultat i vlerave që përfaqësojmë, dhe reflektim i veprimeve tona. Partnerët tanë njohin qëndrimet tona. Dijnë çka besojmë dhe për çka angazhohemi. Luftojmë vetëm për paqen, ashtu siç të parët tanë, komandanti legjendar Adem Jashari, dëshmorët dhe veprimtarët e kombit bën para nesh”.

Mehaj është shprehur se, “jemi shtet i vogël por me zemër të madhe!”.

Më 19 dhjetor, ministri kishte bërë të ditur se 127 ushtarë ishin larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ai këtë shifër nuk e kishte konsideruar alarmante.

Edhe, për ish-ushtarakët Kosova nuk duhet të krahasohet me vendet e rajonit, pasi numri i ushtarëve është shumë më i vogël, teksa Kosova numëron rreth 4 mijë ushtarë aktivë e rreth 2 mijë e 500 rezervë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore