Shqipëria

18 të arrestuar në Spanjë, kalonin ilegalisht shqiptarët në SHBA dhe Britani


Janë arrestuar 18 persona, pjesë e një grupi kriminal të organizuar, të cilët dyshohet se kanë transportuar mbi 400 shqiptarë ilegalisht drejt SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.

Arrestimi ka ndodhur pas një aksioni policor në Tarragona të Spanjës.

Hetimi lidhet direkt edhe me arrestimet e 9 qershorit, ku po në Spanjë, u shkatërrua një grup kriminal i drogës, i cili ishte i lidhur me mafian italiane.

Operacioni ka qenë në bashkëveprim me disa autoritete evropiane policore. Këtu përfshihen edhe Shqipëria, Kosova, Italia, Franca, Britania dhe Portugalia. Forca policore të SHBA-ve ishin po ashtu pjesë e operacionit.

Hetimi fillestar nisi në vitin 2019. Vëmendja kryesore ishte në çështjet e falsifikimit të dokumenteve nga emigrantët prej Ballkanit Perëndimor.

Në një fazë fillestare, një grupim më i vogël, u asgjësua. Skema ishte e tillë, që të kaloheshin emigrantë ilegalisht nga ishulli i Saint Maarten drejt SHBA-ve, me dokumente të falsifikuara.

Nën arrest janë vënë edhe korrierët, të cilët shpërndanin dokumentet false. Në tërësi ndërkohë, 46 persona janë arrestuar në faza të ndryshme të hetimit.

Baza e grupimit, ishte në Britani dhe Irlandë. Gjithçka kryhej nëpërmjet linjave të ndryshme ajrore.

Disa aeroporte ishin të përzgjedhur për kryerjen e kalimeve ilegale të këtyre shtetasve.

Koordinimi i gjithë hetimit erdhi nga Europol-i.

Vetëm muajin e fundit, kanë qenë 219 shqiptarë, të cilët e kanë thyer kohëzgjatjen e lejes tre-mujore të qëndrimit në vendet e BE-së. Këtë fakt e bën me dije vetë portali informativ i zonës Schengen.

Vetëm nga Franca, në mars 2021, 44 shqiptarë u kthyen në Shqipëri pas thyerjes së leje qëndrimit. Vendi me akumulim më të madh emigrantësh ndërkaq, mbetet Gjermania.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore