16 civilë të plagosur në sulmin rus në Zaporizhzhia

Zyrtarët ukrainas flasin për të paktën 16 civilë të plagosur në sulmet ajrore të Rusisë në qytetin juglindor të Zaporizhzhia-s
SHFLETO
Sadiola Xhelili
23.09.2024 12:56
Loading Icons...

Të paktën 16 civilë u plagosën, duke përfshirë një djalë 15-vjeçar, të dielën vonë në sulmet ajrore të Rusisë në qytetin juglindor të Zaporizhzhia, thanë zyrtarët ukrainas.

Guvernatori i Zaporizhzhia, Ivan Fedorov, tha në aplikacionin Telegram se Rusia ka kryer të paktën shtatë sulme ajrore në qytet dhe rrethin përreth, duke dëmtuar 13 ndërtesa banimi, institucione arsimore, makina, garazhe dhe rezidenca private.

Ekipet e shpëtimit evakuuan banorët nga disa ndërtesa banimi të dëmtuara, tha Ministria e Brendshme e Ukrainës në Telegram.

Ministria tha se sipas informacioneve paraprake, Rusia përdori bombat e saj ajrore të drejtuara për të goditur Zaporizhzhia-n.

Të dyja palët sakaq mohojnë të kenë shënjestruar civilët në sulmet e tyre, por mijëra civilë janë vrarë – shumica dërrmuese e tyre ukrainas – në luftën që Moska filloi me një pushtim të plotë në shkurt 2022.

Fedorov tha në Telegram se në total, Rusia kreu 363 sulme ajrore dhe tokësore gjatë ditës së kaluar në 12 vendbanime në rajonin më të gjerë, qendra administrative e të cilit është qyteti Zaporizhzhia.

Shërbimet e urgjencës të Ukrainës postuan një video në faqen në Facebook që tregon shpëtimtarët duke u përpjekur të heqin mbeturinat dhe të zhbllokojnë hyrjen në një apartament dhe të kujdesen për njerëzit e plagosur gjatë natës përpara një ndërtese banimi të dëmtuar.

Rusia lëshoi ​​gjithashtu dy raketa ajrore të drejtuara dhe katër drone sulmuese që synonin Ukrainën gjatë natës, thanë forcat ajrore të Ukrainës.

Tre nga dronët u rrëzuan mbi rajonin verilindor Sumy, thanë forcat ajrore në Telegram.

Dy raketat dhe një dron “nuk arritën objektivat e tyre për shkak të mbrojtjes aktive kundër raketave kundërajrore të Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës”, thanë forcat ajrore.