1 muaj paraburgim për serbin që u arrestua për sulm ndaj gazetarëve

SHFLETO
Dreni Himbeqa
19.06.2023 17:51
Loading Icons...

Gjykata Themelore në Mitrovicë, këtë të hënë, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh serbit, Dalibor Spasiç, i cili dyshohet për sulm ndaj gazetarëve pak ditë më parë në Komunën e Leposaviqit.

Lajmin për paraburgimin e të dyshuarit e ka konfirmuar, gjykatësi i procedurës paraprake, Xhemajl Jusufi, për Betimin për Drejtësi.

Lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në Veri, institucionet kosovare kanë arrestuar edhe Nemanja Vllaskoviç, më 16 qershor, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve më 29 maj, dhe të dyshuarin tjetër, Uros Vuksinoviq, për sulm ndaj gazetarëve më 16 qershor.

Pikërisht për këto arrestime dhjetëra serbë, të hënën, kanë protestuar para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, duke kërkuar lirimin e tre serbëve të prangosur nga Policia e Kosovës në Veri për sulme ndaj gazetarëve.

Ndërkaq mëngjesin e së hënë në këtë komunë, forcat ushtarake të KFOR-it kanë vendosur një post-bllok, përmes së cilës, siç ka mësuar Albanian Post, kanë pamundësuar hyrjen e Policisë së Kosovës në këtë komunë.

Albanian Post ka kuptuar se arsyeja e vendosjes së post-bllokut nga KFOR-i ka të bëjë me një vizitë të paralajmëruar të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në Leposaviq.

Plani i qeverisë ishte që të dërgohej ministri atje dhe në përcjellje të tij ishte vendosur të udhëtonte edhe një njësit i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Por, KFOR-i, në dijeni se një grup serbësh po përgatitej për përballje me eskortën e ministrit, ka bllokuar rrugëtimin e ministrit drejt Leposaviqit.

KFOR ka argumentuar se ndalimin po e bën në mënyrë që të shmanget rreziku potencial i përballjes.

Situata është cilësuar e “rrezikut të lartë”, prandaj edhe është penguar ministri të udhëtojë në drejtim të komunës më veriore të Kosovës.

Albanian Post ka komunikuar me Policinë e Kosovës, por zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka refuzuar të komentojë rreth bllokadës së KFOR-it, përveçse ka thënë që “të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe caktuara me detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren”.

Tensionet u kthyen sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.