Shqipëria

Bardhi i përgjigjet Ramës: Do ta kuptojë shumë shpejt nëse kam bërë apo jo kallëzim në SPAK


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili tha se demokrati nuk ka depozituar asnjë kallëzim ndaj Olsi Ramës në SPAK.

Bardhi thotë se nëse Edi Rama do të kuptonte nga ligji, “Shqipëria do të ishte një vend më i mirë, dhe nuk do të ishte në krye të listës së vendeve me korrupsion madhor të përhapur në çdo sektor apo me lidhje të forta me krimin e organizuar”.

Deputeti demokrat paralajmëron se Rama do ta kuptojë shumë shpejt nëse ka bërë apo jo kallëzim në SPAK për vëllain e tij.

“Dallimin ligjor të informacionit/kallëzimit që kam dërguar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion me kallëzimin e ri që regjistrohet në regjistrin e veprave penale në kuptimin penal të fjalës, mund t’ia shpjegojë fare mirë Engjëll Agaçi, eksperti i tij për çështjet e trafikantëve të drogës. Megjithatë një shpjegim mund t’ia jap dhe unë”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, çështja e hetimit të përfshirjes së “Olsi Ramës në trafikun e Xibrakës është njësoj si çështja e hetimit të përfshirjes së Edi Ramës në aferën e korruptimit të ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal”.

“Për McGonigal kërkova të nisë hetimi. Kur dolën fakte të reja, nuk dorëzova kallëzim nga e para, por dërgova informacion shtesë të kallëzimit, sepse dosja penale ekziston. Njësoj dhe për Olsin e çunave të Xibrakës. Dosja penale ekziston e pezulluar dhe informacioni/kallëzimi shtesë është për ta vënë në lëvizje këtë dosje që Edi Rama do të dëshironte ta varroste”.

Rama: Kallëzimi i pabërë i Bardhit iu shit si sapun për djathë italianëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore