Sport

Zyrtarizimi për ndryshimin e futbollit nga Florentino Perez


Momenti më i shumëpritur i gjithë “sagës” së Superligës erdhi.

Florentino Perez ishte i ftuar në emisionin “El Chiringuito”, përballë gazetarit spanjoll, Josep Pedrerol.

Më poshtë, do t’ju sjellim në detaje të gjithë intervistën e presidentit të Real Madrid-it dhe tani presidenti i Superligës, Florentino Perez.

“Kjo është hera e parë që jam në këtë emision. Me shumë mundësi, edhe e fundit”.

“Futbolli duhet të avancojë, si çdo industri tjetër në botë. Nuk mund të vazhdojmë kështu”.

I pyetur se përse futbolli gjendet në këtë situatë, presidenti i Superligës ia la fajin pandemisë prej Covid-19.

“Futbolli po kalon një periudhë shumë të vështirë. Superliga Evropiane do t’i shpëtojë të gjithë klubet financiarisht”.

Andaj, kjo është edhe arsyeja pse Superliga do të zëvendësojë Champions League-n, sipas Perez-it: “Do të na ndihmojë të kthejmë gjithçka që kemi humbur”.

“Kur nuk ke përfitime të tjera, përveç të drejtave televizive, e vetmja zgjidhje është të ofrosh ndeshje të mëdha”, thotë Florentino Perez, “në këtë mënyrë sigurojmë të ardhura të jashtëzakonshme”.

“Ekipet më të mëdha në Angli dhe Spanjë arritën në konkluzionin për të rregulluar futbollin”.

Në vijim, ai bën me dije se, gjatë vitit të fundit, në Madrid kanë humbur 400 milionë euro.

“Këtu në Madrid kemi humbur shumë dhe jemi në situatë shumë të keqe”.

Zgjidhja për këtë janë ndeshjet e mëdha, të cilat do të sjellin shumë të ardhura.

Perez thotë që vihet re një ulje e interesit për futboll.

“40% e të rinjve nuk janë më të interesuar për futboll. Ata shikojnë vetëm ndeshjet e mëdha. Duhej të përshtateshim, Superliga është zgjidhja”, tha Perez.

“Nëse ne kemi më shumë para, do të jetë mirë për të gjithë. Superliga nuk është vetëm për klubet e mëdha”.

Ai insiston që, me blerjen e lojtarëve prej klubeve të mëdha, do t’i ndihmojnë edhe klubet e vogla në mënyrë marramendëse.

“Superliga nuk është ligë e mbyllur, është për të gjithë”.

“15 skuadra do të jenë gjithnjë, por pesë do të kenë mundësi të kualifikohen çdo vit në bazë të performancës”.

“Është si Champions League, por më e mirë”.

Formati i ri i Champions League-s nuk do ta shpëtojë futbollin në asnjë mënyrë thotë Perez-i.

“Në Champions League, nëse fiton, i merr 120 ose 130 milionë euro, këtu do të fitosh shumë më shumë”.

“Duam të shpëtojmë futbollin për të paktën 20 vitet e ardhshme, Superliga do ta bëjë këtë”.

UEFA është Monopol, sipas Florentino-s.

“Lojtarët tanë nuk do të përjashtohen nga Kupa e Botës, e garantoj këtë, 100 për qind”, deklaroi ai.

Të njëjtin qëndrim Perez e mban edhe për raportimet se mund të eliminohen nga Champions League këtë sezon.

“Asnjëherë, kurrë”.

“Erdhi fundi, koha e monopolit të UEFA-s përfundoi. Ka ardhur koha për një epokë të re”.

Për ekipet e tjera që mund të marrin pjesë, ai tha që Sevilla është mundësi reale.

“PSG-në nuk e kemi ftuar”.

“Manchester-Barcelona do të jetë më interesant se sa Manchester-i kundër një skuadre të vogël”, shtoi ai.

“Champions League është interesante vetëm nga çerekfinalja e tutje. Askush s’e shikon më përpara”.

Për “ofendimet” e Ceferin ndaj Agnelli-t, Perez tha janë të papranueshme.

“Nuk kemi nevojë për njerëz si ai (Ceferin) në sport, është i pasjellshëm”.

“Pa Superligën, futbolli do të vdesë para 2024-ës, ne po e shpëtojmë”.

“Kemi një kontratë, askush nuk mund të largohet tani, do të punojmë së bashku”.

“Nëse Bayern-i nuk vjen, çfarë ndodh? Asgjë, vazhdon si normalisht”.

“U detyrohemi fansave, është një projekt që kemi punuar mbi 20 vite, por më në fund ia arritëm”.

Perez ankohet edhe për mungesë të transparencës.

“Unë e di pagën e Lebro James, por jo të presidentit të UEFA-së, pse?”

Ai paralajmëroi që vetëm 55% e buxhetit të klubeve do të mbulojnë pagat e futbollistëve.

“Jemi shumë të lumtur me gjithçka”.

“Do të ketë VAR, por do të jetë shumë më i mirë, shumë më kualitativ”.

Ai u pyet edhe për Mbappe-n: “E dija që do të më pyesnit për këtë, këtu jemi për të folur për Superligën. Kaq”.

“Nuk kam folur me Mbappe-n, të paktën jo sot…”.

“Cristiano? Ai nuk do të kthehet. Ramos? Mirë, tani po largohem”.

Ai foli edhe më shumë rreth skuadrës së tij.

“Vinicius është i paprekshëm. Zidane është trajneri më i mirë në historinë tonë”.

Në fund, ai u pyet se a do të jetë Superliga numri 14 për Real Madrid-in.

“Jo, sepse atë do ta fitojmë këtë vit”.

“A mund të largohem tani?”

Në përmbyllje ai uroi të gjithë për ndryshimin e madh, që futbolli kishte nevojë, dhe më në fund po e përjeton.

Në këtë mënyrë, Florentino Perez e përmbylli deklaratën e tij mbi Superligën, që tani është realiteti i ri në botën e futbollit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore