Lajme

Zyrtari evropian zbulon arsyen e mbledhjes së liderëve të Ballkanit Perëndimor


Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman ka konfirmuar arsyen e takimit të 19 shtatorit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen.

“I lumtur që kam shoqëruar Presidenten Ursula von der Leyen dhe komisionerin Oliver Varhelyi në takimin e sotëm me liderët nga Ballkani Perëndimor. Një moment i shkëlqyer për të rishikuar progresin në Planin e Rritjes dhe për të diskutuar reformat që do të zhbllokojnë 6 miliardë euro nga Faciliteti i Reformës dhe Rritjes!”, shkruan zyrtari evropian në median sociale “X”.


Më herët, Albanian Post raportoi se fokusi i takimit do të orientohet rreth marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes partnerëve në kontekstin e Planit të Rritjes.

Bosnjë dhe Hercegovina ishte vendi i fundit që dorëzoi zyrtarisht dy ditë më parë draftin e saj të axhendës së reformave, mësoi AP-ja.

Këto axhenda do të jenë parakusht për disbursimin e fondeve të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Komisioni (Evropian) aktualisht është duke finalizuar vlerësimin e tij mbi axhendat e reformave të partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor, duke mbuluar si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike, duke përfshirë ato të Bosnjës dhe Hercegovinës, draftin e të cilës e kemi marrë sot”, deklaroi një zëdhënës i KE-së për Albanian Post.

Ursula von der Leyen mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor, për Planin e Rritjes

Zyrtari theksoi se pasi të finalizohet vlerësimi, Komisioni do të konsultohet me shtetet anëtare për axhendat e reformës në Komitetin IPA.

Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja ka mbështetur reformat në rajonin e zgjerimit me asistencë financiare dhe teknike që nga viti 2007.

Më pas, në rast të një opinioni pozitiv të lëshuar nga Komisioni, KE-ja do të miratojë Axhendat e Reformës të paraqitura nga përfituesit, sqaroi më tej zyrtari evropian.

“Synimi është që të jemi në gjendje të disbursojmë parafinancimin sa më shpejt të jetë e mundur për të nisur reformat pasi të jenë finalizuar procedurat, duke përfshirë marrëveshjet përkatëse të lehtësirave dhe kredisë me secilin partner”, ravijëzoi në përmbyllje zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Vlerësimi i KE-së për Ballkanin Perëndimor drejt finalizimit, dorëzohet drafti i BeH-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore