Sport

Zyrtare: Red Bull dhe Max Verstappen rinovojnë kontratën


Ashtu siç u paralajmërua, Red Bull ka konfirmuar se ka nënshkruar kontratën e re me kampionin e Formula 1, Max Verstappen deri në vitin 2028.

Holandezi ka kontratë aktuale me Red Bull-in deri në vitin 2023, që përfiton 18 milionë funte në vit, por në kontratën e re, të ardhurat do të shkojnë në 37 milionë funte në vit.

Në këtë mënyrë për Red Bull-in bëhet fjalë për një investim prej rreth 200 milionë funte.

Nëpërmjet një komunikate për media, Verstappen deklaroi: “Adhuroj të jem pjesë e skuadrës Red Bull, dhe për këtë arsye vendimi për të firmosur deri në 2028 ishte i thjeshtë”.

“E dua këtë skuadër, viti 2021 ishte i pabesueshëm, arritëm objektivin e programuar që nga mbërritja ime këtu në 2016. Tani objektivi është ta mbajmë makinën të parën sa më gjatë të jetë e mundur”, shtoi Max.

I kënaqur me arritjen e marrëveshjes u shpreh edhe shefi i Red Bull-it, Christian Horner, i cili tha që synojnë të korrin suksese sa më shumë në të ardhmen.

”Max Verstappen me ne deri në 2028, është një deklaratë e përbashkët synimesh. Fokusi i menjëhershëm është të mbrojmë titullin e fituar, por kohëzgjatja e akordit dëshmon se ai është pjesë e një programimi më të gjatë”, deklaroi Horner.

“Donim të siguroheshim se kishim me ne pilotin më të mirë në qarkullim për makinën me të cilën do të punojmë për ta bërë edhe më të mirë”, shtoi ai.

Verstappen do të nisë mbrojtjen e titullit më këtë muaj në Bahrejn me garën e parë të sezonit më 20 mars.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore