Sport

Zyrtare/ Isco largohet nga Sevilla dhe mbetet pa klub


Vetëm katër muaj pasi u transferua, Isco ka ndarë rrugët me klubin e Sevilla-s.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi andaluzian, të cilët përmes një postimi zyrtarizuan divorcin me ish-mesfushorin e Real Madrid-it.

“Sevilla FC ka arritur një marrëveshje me Isco Alarcón për të ndërprerë kontratën e tij. Klubi dëshiron t’i urojë Isco -s shumë fat për të ardhmen”, shkruan klubi spanjoll.

Francisco Alarcon Suarez iu bashkua Sevilla-s më 7 gusht të këtij viti nga Real Madrid-i si transferim i lirë.

30-vjeçari është aktivizuar në 12 ndeshje të La Liga-s deri në këtë pikë të sezonit, por nuk ka mundur të shënojë qoftë një gol.

Me largimin e Lopeteguit, mesfushori ka dalë i tepërt, kështu që ka kërkuar prishjen e kontratës.

Kujtojmë që spanjolli u rrit te Valencia, i cili më pas kaloi te Malaga në vitin 2011 për një transferim prej 6 milionë eurosh.

Shumicën e karrierës, Isco e bëri në Real Madrid, ku luajti për nëntë vite (2013 – 2022), duke u aktivizuar në 353 ndeshje, prej të cilave ka shënuar 53 gola.

Me fanellën e Real-it, Isco numëron shumë suksese, prej të cilave janë pesë Liga të Kampionëve dhe tre La Liga.

Tani ai mbetet pa klub dhe mbetet të shihet në ditët në vazhdim se cili do të jetë vendimi i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore