Sport

Zyrtare: Evertonit i hiqen 10 pikë nga renditja për thyrjen e rregullave financiar


Everton-it i janë hequr 10 pikë për shkeljen e rregullave të fitimit dhe qëndrueshmërisë në Premier League, gjë që i zhyt “Toffees” në vendin e 19-të në tabelë.

Klubi iu referua një komisioni të pavarur në mars për shkelje të dyshuara që kishin të bënin me sezonin 2021-22 dhe një seancë dëgjimore u zhvillua muajin e kaluar.

Premier League kërkoi një zbritje të konsiderueshme pikësh për të krijuar një precedent pasi klubi u akuzua për shkelje të rregullave financiare në 2021-22. “Toffees” postuan humbje financiare marramendëse prej gati 372 milionë paundësh gjatë një periudhe trevjeçare.

Kjo është më shumë se 250 milionë paund mbi atë që udhëzimet e Premier League i lejojnë klubet të humbasin gjatë një harku kohor trevjeçar.

Në një deklaratë të Premier League këtë pasdite thuhej: “Një komision i pavarur ka vendosur një zbritje të menjëhershme prej 10 pikësh për Everton FC për një shkelje të Rregullave të Përfitueshmërisë dhe Qëndrueshmërisë së Premier League”.

Everton do ta apelojë vendimin në mënyrën më të fortë të mundshme. Ata mohojnë fuqishëm se nuk kanë shkelur rregullat dhe humbjet e tyre financiare ishin për shkak të ndërtimit të një stadiumi të ri në Bramley Moore Dock.

“Toffees” besojnë se një sanksion sportiv është tërësisht joproporcional dhe krejtësisht i papërshtatshëm. Everton do të tregojë rastet e mëparshme kur gjashtë klubeve të Premier League iu dha një gjobë e vogël për përpjekjen për të thyer piramidën e futbollit me Superligën Evropiane.

Portsmouth ishte skuadra e fundit e Premier League që mori denim me pikë kur hyri në administrim në vitin 2010 dhe iu dha një dënim me 10 pikë.

Rregullat financiare u liruan nga Premier League gjatë Covid me të gjitha klubet që vuajtën nga pandemia për sa i përket faturave dhe mundësive komerciale. Por Covid e goditi Everton-in më shumë se shumica, ndërsa ata gjithashtu theksojnë pushtimin rus të Ukrainës si një faktor tjetër ndikues.

Kjo pati një ndikim të drejtpërdrejtë në financat për shkak të marrëveshjeve tregtare të pezulluara, por edhe një paramarrëveshje për të drejtat e emrit në Bramley Moore Dock me “USM” të oligarkut rus Alisher Usmanov, e cila nuk u realizua kurrë për shkak të sanksioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore