Lajme

Zyra për “ngritje më të lehtë” akademike


Ilustrim

“Avancimi i stafit akademik në universitete publike, por edhe i kolegjeve private që janë bartës të arsimit të lartë, nuk do të bëhet më në bazë të konkurseve të shpallura nga vetë institucionet arsimore, por do të bëhet përmes një zyreje pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”.

Kështu ka thënë një burim i Albanian Post, i afërt me ministren e arsimit, Arbërie Nagavci dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, kjo “zyrë” po shihet si një mundësi për ndryshime “esenciale” në arsimin e lartë, duke eliminuar burokracitë e institucioneve arsimore, por sipas burimit të AP-së, konkurset për avancim i kanë “përshtatur” sipas nevojave dhe interesave të një klani të ngushtë.

“Zyra” për avancim pranë MASHTI-t sipas këtij burimit do ta ketë një rol pothuajse të ngjashëm për kah funksionimi me atë të NARIC Kosova – Qendra për njohje të Diplomave.

Pra nuk do të ketë konkurs për avancim, por do të jetë e hapur në çdo ditë pune dhe aplikimi do të bëhet përveç mënyrës fizike edhe online.

“Kushtet për avancim do të jenë të shfaqura dhe aplikimi do të bëhet duke përfillur kushtet dhe kriteret e përcaktuara”, thotë burimi i Albanian Post.

Të gjithë ata të cilët kalojnë nga një gradë akademike në një gradë tjetër, për shembull nga Asistent në Profesor Asistent, apo nga Profesor Asistent në Profesor të Asocuar, pavarësisht se në vendin e punës ushtron detyrën, shembull të Asistenti, momentin që e merr gradën më të lartë dhe plotëson kriteret e “zyrës”, ai ose ajo do të paguhet në bazë të gradës, ndërsa institucioni duhet të jep hapësirën për ushtrimin e detyrës sipas gradës, siç kupton AP.

Mirëpo, kjo “zyrë” për avancim në gradë shkencore nuk do të bëhet vetëm për institucionet publike të arsimit të lartë, por edhe për ato privatë, thotë burimi i Albanian Post, gjë që thirrjet akademike të institucioneve privat nuk kanë qenë të barasvlershme me ato të institucioneve publike.

“MASHTI është duke punuar që sa më parë të funksionalizojë këtë ‘zyrë’ të “avancimit akademik”, thotë burimi.

Mirëpo, Albanian Post ka kontaktuar me MASHTI-in dhe me universitet publike dhe kolegjet private lidhur me këtë çështje, pasi që nga njëra anë kjo “zyrë’ mund të eliminojë burokracitë në këto institucione, por nga ana tjetër, (sipas legjislacionit në fuqi), një gjë e tillë përbën ndërhyrje direkte në pavarësinë e institucioneve.

Se a është duke punuar MASHTI në një projekt të tillë, për Albanian Post, ka folur zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Pupovci.

Ai megjithatë e ka mohuar duke thënë se emërimet në titujt akademikë do të vazhdojnë të bëhen nga institucionet e arsimit të lartë.

“Nuk ka plane që emërimet në tituj akademikë të bëhen në mënyrën si e përshkruani ju”, deklaroi ai.

“Ato do të vazhdojnë të bëhen nga institucionet e arsimit të lartë, ashtu si përcaktohet me legjislacion”, ka thënë zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Pupovci.

Dukagjin Pupovci

Nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, për Albanian Post ka folur Rektori, Artan Nimani.

Ai ka thënë se deri më tani “nuk kemi ndonjë informacion lidhur me atë [çështje]”.

“UGJFA posa të merr ndonjë dokument zyrtar, atëherë mundemi ta japim komentin tonë”, ka thënë rektori Nimani në një përgjigje me shkrim.

Artan Nimani

Në një përgjigje me shkrim edhe Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka thënë se “nuk është i informuar ky universitet nga ana e MASHTI-it rreth zyrës për të cilën ka pyetur Albanian Post.

Menagjmenti i këtij universiteti ka thënë se nuk mund të paragjykojnë rreth një zyreje të tillë, por se ajo mund të rregullohet vetëm me ligj.

“Por duhet të jetë ligji ai i cili i përcakton apo i rregullon këto kritere dhe procedura” dhe se çdo zyrë për një proces të tillë “nuk mund te krijohet në kuadër të MASHTI-it, por duhet të jetë një agjencion i pavarur që merret me këto pune”, thuhet në përgjigjen e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Edhe rektorati i Universitetit të Prishtinës në përgjigje ka thënë se “UP-ja nuk është e informuar rreth kësaj çështjeje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore