Kosova

Zvicra po mban një sy hapur në Veri, “ka tensione të larta”


Ilzustrim

Zvicra po mban një sy hapur për shkak të tensioneve në Veri të Kosovës, thuhet një artikull të publikuar nga medium zviceran Swissinfo.ch.

Në artikullin që flitet për situatën e tensionuar në Veri dhe pasigurinë e qytetarëve atje citohet edhe David Olumese, komandanti i ekipit ndërlidhës dhe monitorues (LMT) në kuadër të misionit të KFOR-it.

Detyra e Olumese-s, është që të bisedojë me komunitetet të ndryshme dhe të raportojë në shtabin e KFOR-it kur është e nevojshme.

Duke folur për Swissinfo.ch, ai deklaron se “mes njerëzve në Veriun e Kosovës ka një ndjenjë pasigurie pasi ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë pas 31 tetorit”, datës zyrtare të Qeverisë së Kosovës kur përfundon edhe afati i konvertimit të targave.

Në artikull citohet edhe korrespodenti i Televizionit Publik të Zvcirës, Peter Balzli, i cili pohon se “kameramani i tij kosovar që zakonisht nuk frikësohet, nuk dëshiron që të udhëtojë për në veri me 31 tetor, nëse tensionet në këtë zonë ngritën”.

Sipas Balzli-t, tensionet në Veri me shumë gjasë do qëndrojnë të larta.

Barrikadat me kamione që ishin vendosur në Veri

Albanian Post të martën, mbështetur në burime diplomatike, ka raportuar ekskluzivisht se prapa kërkesës së koordinuar ndërkombëtare qëndron edhe një raport shqetësues i inteligjencës së EULEX-it, mbi paraqitjen e një force paramilitare serbe në veri të Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka konfirmuar për Albanian Post se në kohën kur u vendosën barrikadat në Veri, me datën 31 korrik, kanë vërejtur një prezencë shqetësuese të një grupi të armatosur.

Duke parë numrin “domethënës” të grupit të armatosur pranë barrikadave, policia e këtij misioni kishte vendosur për ta rritur prezencën në këtë pjesë të Kosovës.

“Me 31 korrik EULEX-i ka vërejtur një prezencë të armatosur domethënëse dhe shqetësuese tek barrikadat që u ngritën në Veri të Kosovës. Si përgjigje, EULEX ka rritur patrullat e veta për zbulim në Veri”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Media e EULEX-it për Albanian Post.

EULEX në përgjigjen për AP-në nuk e mohon, por as nuk e konfirmon këtë raport.

Raporti për të cilin ka informacione Albanian Post thotë se kjo forcë paramilitare, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Mosha mesatare e tyre është rreth të 30-tave, dhe tashmë kanë nisur patrullimet në zona të caktuara.

Patrullimi, siç mëson AP, bëhet kryesisht natën.

Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.

Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Pavarësisht që një pjesë e tyre lënë përshtypjen se mund të jenë nën ndikimin e alkoolit dhe substancave tjera, nga ana taktike konsiderohen që zotërojnë përgatitje të theksuar ushtarake.

Nga EULEX-i megjithatë, kanë thënë shkurtimisht se prezenca “domethënëse dhe shqetësuese” e grupit të armatosur kohën e vendosjes së barrikadave nuk është hasur më.

“Fatmirësisht (EULEX) nuk ka hasur në prezencë të njëjtë”, pohohet nga zyra për media e EULEX-it.

Megjithatë, nga ky mision bëjnë me dije se tashmë bëjnë patrulla të përditshme në Veri të Kosovës dhe kanë njësitin për zbulim atje.

“EULEX-i ka qenë nga afër duke monitoruar zhvillimet që mund ta afektojnë sigurinë në Kosovë, gjithashtu sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Njësiti jonë Policor, që konsiston në 105 policë, mban patrulla ditore të zbulimit në veri të Kosovës për të rritur vetëdijen tonë mbi situatën”, thotë përgjigja e misionit evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore