Boterori 2022

Zvicra e nis me fitore Kupën e Botës, protagonist Shaqiri


Zvicra e ka nisur në mënyrën më të mirë Kupën e Botës, duke e mposhtur Kamerunin me rezultat 1:0.

Pjesa e parë e këtij dueli nuk solli gola, derisa edhe rastet për të shënuar ishin të pakta.

Më të mirin rast për Zvicrën e pati mbrojtësi i Manchester City-t, Manuel Akanji, por goditja e tij shkoi fare pran portës.

Në anën tjetër, për kombëtaren afrikane e pati një rast të mirë edhe sulmuesi i Bayern Munich-ut, Choupo-Moting, por goditja e tij u bllokua nga mbrojtja e “Helvetikëve”.

Skuadrat shkuan në pushim me porta të paprekura, derisa që në fillim të pjesës së dytë, Zvicra kaloi në epërsi.

Nuk kaluan as tre minuta nga fillimi i fraksionit të dytë, futbollisti nga Kosova, Xherdan Shaqiri, dhuroi një asistim perfekt për Breel Embolo, e ky i fundit shënoi për 1:0 ndaj vendit të tij ku ka lindur.

Interesant është fakti se ky ishte asistimi i 12-të i Shaqirit në Kampionat Botëror apo Evropian, që në total Zvicra ka 24. Do të thotë, gjysmën e asistimeve për Zvicrën i ka bërë futbollisti i lindur në Gjilan.

Në minutën e 57-të, Kameruni pati një mundësi shumë të mirë për ta barazuar rezultatin, por goditja e Choupo-Moting nga afër, u ndal nga portieri zviceran, Yann Sommer.

Zvicra e pati një mundësi të artë në minutën e 66-të për ta dyfishuar epërsinë, por portieri kamerunas, Andre Onana, bëri një pritje të shkëlqyer.

Në vazhdim të ndeshjes, kombëtarja zvicerane arriti ta ruajë avantazhin prej një goli, epërsi kjo që i jep tre pikë të arta në grupin e vështirë në të cilin gjendet.

Ndeshjen e radhës, Zvicra do ta luajë ndaj Brazilit më 28 nëntor, ndërsa në ndeshjen e fundit do të ballafaqohet me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore