Lajme

ZPS kërkon që Thaçit t’i vazhdohet paraburgimi


Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Që nga vendimi më i fundit, më 29 shtator, nuk ka pasur asnjë ndryshim të rrethanave që do të favorizonin një përcaktim tjetër dhe Thaçi nuk ka bërë asnjë parashtrim mbi këtë apo ndonjë bazë tjetër.

Prokuroria, thotë se Thaçit duhet t’i  vazhdohet paraburgimi.

“Thaçi vazhdon të ushtrojë ndikim dhe autoritet që mund ta ndihmonte në arrati. Pozicionet e tij të kaluara dhe me ndikim të kohëve të fundit përfshijnë të qenit (i) anëtar themelues i UÇK-së, (ii) anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, (iii) Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, (iv) Kryeministër dhe (v) President i Kosovës”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka deklaruar më herët se ‘dijenia e Thaçit për akuzat ndaj tij dhe mundësia e një dënimi të rëndë në rast të shpalljes fajtor rrit rrezikun e tij për t’u arratisur”, thuhet tutje nga prokuroria raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Gjykata Speciale.

Sipas tyre, përveç njohurive të Thaçit për akuzat dhe dënimin e mundshëm të gjatë gjykatësi i procedurës paraprake ka konstatuar se me marrjen e provave shtesë gjatë procesit të zbulimit “Thaçi ka fituar një pasqyrë të shtuar të provave në bazë të këtyre akuzave”.

“Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjetur më parë se Thaçi ‘(i) ka tentuar të minojë Dhomat e Specializuara dhe ka ofruar përfitime për personat e thirrur nga ZPS; (ii) ka një interes dhe aftësi të demonstruar për të marrë prova të siguruara nga personat e thirrur nga ZPS; dhe (iii) vazhdon të ketë autoritet dhe ndikim në Kosovë”, është thënë nga prokuroria.

Prokuroria pretendon se  nuk ka asnjë ndryshim në këto konsiderata dhe mbetet rreziku që Thaçi të ndërhyjë në procedura.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore