Shqipëria

“Zonja e Drejtësisë”


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim

Pas një ngërçi të administratës amerikane për të caktuar një ambasador të ri në Shqipëri, në janar të vitit 2020, në detyrë, në selinë diplomatike amerikane në Tiranë, për herë të tretë në 30 vjet demokraci, pas ambasadoreve Marisa R. Lino dhe Marcie B. Rice, erdhi një grua.

Yuri Kim, një diplomate karriere, ishte një figurë që Shqipëria nuk e njihte, por ajo e njihte mirë rajonin. Mbi të gjitha, ajo do të bëhej një ndër zërat – në mos më – të fuqishëm në diplomacinë amerikane në Tiranë.

Kim kishte ushtruar detyra të ndryshme në Evropë, Azi dhe Lindje të Mesme. Ndër to, edhe drejtoreshë e Çështjeve të Evropës Jugore, ku ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe gjithë Mesdheun Lindor, apo drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Evropiane të Sigurisë dhe Politiko-Ushtarake.

Por, akoma më herët, Kim ishte edhe ndihmëse e posaçme e Sekretarit të Shtetit në SHBA, Colin Powell. Pra, një e diplomuar në Filozofi nga Universiteti i Cambridge-it, të cilës, ekspertiza e pellgut ballkanik dhe mesdhetar, nuk i mungonte.

Zotimi për drejtësi

Më 22 janar, ambasadorja e re e SHBA-ve në Shqipëri, nuk do të fliste për mediat. Por, shumë shpejt, zëri i saj do të dëgjohej qartë.

Përpara saj, ishte ish-ambasadori, Donald Lu, i cili do të formësonte togfjalëshin “peshqit e mëdhenj”.

Këta të fundit sipas Lu-së, ishin në radarin e drejtësisë dhe së shpejti do të binin në rrjetën e reformës.

Një reformë të cilën Kim e mbështeti në mënyrë të palëkundur.

Ambasadorja u pozicionua furishëm në formimin e dy strukturave kryesore të kësaj reforme: Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Të gjitha këto, duke u ndërthurur me kërkesën e vazhdueshme të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

Përtej kësaj, fuqia e vërtetë e fjalës së ambasadores Kim, do të shpërfaqej në periudhën parazgjedhore të hershme, parazgjedhore dhe më tej, në atë paszgjedhore.

“Trekëndëshi i Bermudeve”

Fushata zgjedhore në Shqipëri, për zgjedhjet e 25 prillit, do të ishte e pazakontë.

Fillimisht, për faktin se po zhvillohej nën kushtet e pandemisë Covid-19, por më së shumti, sepse pa përfshirjen në fushatë të një figure mbi politikën – atë të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Meta jo vetëm që do të angazhohej në fushatë, por edhe në një “luftë” të drejtpërdrejtë me ambasadoren Kim.

“Ambasadorja amerikane të mos ma marrë më në mbrojtje Edi Ramën”, do të deklaronte Meta në një emision televiziv.

Kim, nga ana tjetër, do të përgjigjej në kohë reale nëpërmjet Twitter-it.

“Është e papranueshme për këdo që kërcënon se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal!”, shkroi ajo.

Kjo, ishte edhe përballja e parë publike midis ambasadores dhe presidentit. Një përballje, e cila nuk ishte parë ose dëgjuar më herët në historinë e Shqipërisë.

Meta do të vijonte edhe më tej “luftën” ndaj Kim, duke arritur ta quante deri në të “influencuar dhe dërguar nga kryeministri për të shantazhuar presidentin”.

Replika, të pa cilësuara ndonjëherë nga një president republike drejt një ambasadori.

Kim vazhdoi me thirrjet e saj për qetësi dhe heqje dore nga gjuha e urrejtjes. Në situatën paszgjedhore, tonet e ashpra u ulën. Mirëpo, komunikimi presidencë-ambasadë e SHBA-ve, nuk është rikthyer.

Peshku i madh në rrjetë

“Ka ardhur koha të hamë peshkun e madh”.

Kështu do të deklaronte në vitin 2018, ish-ambasadori amerikan, Donald Lu. Mirëpo, në mandatin e tij, nuk u arrit kjo gjë.

Me ardhjen e Kim, një sërë institucionesh filluan që përtej ngjizjes, të formësoheshin.

Fillimisht, ishte struktura e SPAK-ut dhe më pas ajo e BKH, e cila së fundit ka nisur edhe trajnimin e hetuesve të parë, pasi mbylli fazën e parë përzgjedhëse.

Të dy këto institucione, janë investim shtetëror amerikan dhe angazhim i veçantë i ambasadores Kim.

“Kini besim, drejtësia po vjen”, do të paralajmëronte ajo në mënyrë të herë pas hershme. Lajmërime, të cilat filluan të kishin efekt në botën e krimit me disa dosje të nxehta.

Por, mbi të gjitha, lajmërime që çuan në rrjetën e drejtësisë, një figurë të lartë institucionale në Shqipëri.

Pas shpalljes si non grata në vitin 2019, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, u dënua nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar, me dy vjet burg.

Ky vendim, i shpallur një ditë pas publikimit të faktit se ish-kryeministri, Sali Berisha, do të ishte non grata në SHBA, do të ishte i vyer për vazhdimësinë e reformës, në të cilën Kim ishte angazhuar.

Ajo do të vijonte përgëzimin e punës së Reformës në Drejtësi. “Janë hapa të vegjël, por kini durim”, vijonte thirrjet e saj ambasadorja.

Kështu, drejt gjysmës së mandatit të saj, Yuri Kim ka ndërmarrë një sërë veprimesh dhe ka shpërfaqur një sërë qëndrimesh, të cilat janë më të forta dhe domethënëse se sa pararendësit e saj.

Një zë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, mbi të cilin mund të argumentohet ka qenë ndër më aktivët në 30 vjet raporte SHBA-Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore