Kulturë

Zogu dhe “shtëpia e pavizituar”


E fshehur në Muttontown Preserve, një zonë e mbrojtur në East Norwich, New York, qëndron një rezidencë – dikur madhështore – e ndërtuar në vitin 1906 për ish-manjatin e Wall Street-it, Charles Hudson.

Edhe pse historianët e quajnë ‘Knollwood’, vendasit e njohin atë si Kalaja e Mbretit Zog.

Zogu ishte pronar në mungesë i kësaj prone përgjatë viteve ’50-të.

Ndërsa Mbreti Zog I e bleu rezidencën në vitin 1951, ai kurrë nuk jetoi aty.

Në fakt, ai ndoshta as nuk e ka vizituar. Por kjo pronë e lidh historinë e tij me një nga intrigat më interesante të Luftës së Ftohtë.

Fillimisht me operacionet e dështuara të CIA-s dhe me mërgimin që nuk u zgjidh e nuk ndaloi kurrë.

Kur Italia pushtoi Shqipërinë në vitin 1939, Zogu dhe gruaja e tij Xheraldinë ikën me djalin e tyre të porsalindur, princin e kurorës Leka, duke pritur Luftën e Dytë Botërore së pari në Greqi dhe Angli.

Kjo, para se të zbarkonin përfundimisht në Egjipt si mysafirë të Mbretit Farouk. Ata u vendosën në një vilë në Aleksandri.

Pas luftës, familja mbretërore fluturoi për në New York, duke mbërritur në Amerikë për herë të parë më 26 korrik të vitit 1951.

Motrat e Mbretit Zog

New York Times raportoi asokohe se udhëtimi i Zog-ut ishte katërcipërisht një vizitë kortezie, por dosjet e deklasifikuara të CIA-s zbulojnë se kishte më shumë zhvillime pas saj.

Ndërsa gazetat u përqëndruan në angazhimet e tij shoqërore, takimet më të rëndësishme të mbretit ishin ato sekrete.

Disa javë pas mbërritjes së tij, Zogu pati takimin e parë nga tre të tilla – me shërbimet e inteligjencës amerikane.

Operacioni

Mbreti i rrëzuar kishte zgjedhur mbërritjen e tij me zgjuarsi.

Që nga viti ’44, Enver Hoxha dhe Partia e Punës e mbështetur nga BRSS (Bashkimi Sovjetik) kishin kontroll mbi qeverinë shqiptare.

Me rënien e Perdes së Hekurt dhe fillimin e krijimit të aleancave të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara ishin jashtëzakonisht të interesuara të zëvendësonin qeverinë shqiptare sa më shpejt dhe në heshtje.

“Operacioni Shejtani i Çmuar” (Operation Valuable Fiend), i nisur në vitin 1949, kërkonte pikërisht këtë.

Enver Hoxha

Ky ishte operacioni i parë ‘klandestin’ amerikan i Luftës së Ftohtë.

Por, kjo nuk ishte përpjekja e parë e CIA-s në Shqipëri.

Disa muaj para fillimit të Operacionit, CIA gjithashtu filloi financimin e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA), një grup i bazuar në Shtetet e Bashkuara i përbërë nga politikanë pro-demokrat dhe pro-monarkistë, të cilët gjendeshin në mërgim.

Por NCFA-ja filloi me një goditje të ashpër – kryetari i saj i parë, i moderuar Midhat Frashëri, vdiq nga një sulm i papritur në zemër brenda disa muajsh nga emërimi i tij mes dyshimeve për lojëra të gabuara sovjetike.

Pas kësaj, Operacioni u bë përparësia kryesore e CIA-s. Me mbërritjen e Mbretit Zog, i cili u paraqit si “njeriu i brendshëm shqiptar”, Komandanti i Operacionit – Kolonel Gratian Yatsevitch – një emigrant ukrainas i kthyer në oficer të inteligjencës amerikane, shfrytëzoi rastin për t’i bërë disa pyetje.

Mënyra më e mirë për të filluar një revolucion në Shqipëri

“Unë e kam menduar shumë këtë çështje”, tha mbreti, teksa tymoste cigare pas cigareje.

Ai po paraqiste vizionin e tij përmes një përkthyesi. Zogu propozoi personalisht përzgjedhjen e një ekipi të vogël infiltrimi të burrave të tij më të mirë për të kryer zbulimin dhe për të mbledhur çdo monarkist shqiptar të mbetur.

Ndërkohë, amerikanët dhe stafi personal i mbretit do të trajnonin 10 mijë rebelë shqiptarë. Pas disa atentateve, vetë Zogu, NCFA-ja dhe çdo grup tjetër i mërgimtarëve shqiptarë do të orkestronin një pushtim.

Gratian Yatsevitch

“Në këtë pikë”, tha Zogu, “unë do të ftoj OKB-në të dërgojë përfaqësues për t’u siguruar që formimi i qeverisë së re shqiptare është në përputhje me parimet demokratike”.

Mbreti premtoi se nuk kishte pretendime për të rivendosur regjimin e tij, dhe dokumentet e CIA-s shënojnë se ai dukej i sinqertë.

Megjithatë, dokumenti vëren se “është shumë e vështirë nëse jo e pamundur që një ish-monark të ndahet plotësisht nga vizionet e kthimit në mbretërinë e tij”.

Dy takime më vonë, në fillim të shtatorit 1951, Yatsevitch konfirmoi se qeveria amerikane donte të provonte planin e Zogut.

Kalaja si kështjellë

Por, para se të kthehej në vilën e tij në Aleksandri për të pritur udhëzimet e mëtejshme, mbreti vendosi të blinte një terren amerikan.

“Një kovë me diamante dhe rubinë u raportua me besueshmëri dje se ishte paguar për një pronë të jashtëzakonshme në pjesën e pasurive të Muttontown të ​​Syosset-it”, raportoi New York Times më 19 shtator 1951.

Times e quajti këtë marrëveshje “mbërritjen e një ish-anëtari të familjes mbretërore evropiane në Long Island si një fermer”.

Perspektiva e Zogut shkonte më larg se pularia. Zotërimi i një rezidence amerikane nënkuptone që Zogu dhe familja e tij do ta kishin më të lehtë të emigronin në Shtetet e Bashkuara.

Nëse ai nuk mund të ishte mbret në Shqipëri, Zogu planifikoi të jetonte si një pronar toke aristokratik në Amerikë.

Pasi u nënshkruan dokumentet mbi Knollwood, ai filloi të shikonte mundësinë për të sjellë familje të tëra shërbëtorësh me të në Amerikë.

Ekipi i Mollës

Në fillim të majit të vitit 1952, me Zogun përsëri në Egjipt, një grup rebelësh shqiptarë të zgjedhur nga roja e tij personale dhe me emrin e koduar “Skuadra e Mollës” kaluan kufirin shqiptar.

Siç shkroi Yatsevitch në fillim të qershorit të atij viti, “Ekziston një bazë shprese se kjo Pemë e Mollës do të japë një korrje të pasur të frutave të hidhura për BGGYPSY [një fjalë e koduar për komunistët]”.

Por kjo nuk ngjau kurrë. Edhe pse detajet janë ende të paqarta, diku në orët e para të 29 qershorit, ekipi u kompromentua.

Haxhi Lleshi

Në një letër të vitit ’54, Mbreti Zog pohoi se ai kishte udhëzuar personalisht Ekipin Apple që të lidhej me aleatët e tij të vjetër mbretëror, familjen Lleshi.

Më 29 qershor, ndërsa anëtarët e ekipit pinin dolli për shëndetin e mbretit, shtëpia e Lleshit u bastis nga një task force e Sigurimit – forcat speciale të komunistëve shqiptarë.

Zogu më vonë pretendoi se Lleshët – dikur besnikë – ishin blerë, patriarku i tyre Haxhi Lleshi ishte korruptuar me ofertën e një posti të lartë në qeverinë shqiptare.

Siç ndodhi, Haxhi Lleshi u bë presidium i Asamblesë Kombëtare vitin e ardhshëm.

Zogu “në kafaz”

Më 26 shtator 1953, vila e mbretit në Egjipt u bastis nga autoritetet egjiptiane. Zogu u arrestua dhe një sasi e madhe e rezervave të tij të arit u kapën.

Sipas zyrtarëve egjiptianë, monarku nuk kishte deklaruar asetet e tij ose nuk kishte paguar asnjë taksë gjatë mbërritjes dhe qëndrimit në vendin e tyre.

Megjithëse kishte disa dyshime për përfshirjen sovjetike, ndihma nuk erdhi nga SHBA-të.

Agjentët e Sigurimit të Shtetit

Qeveria shqiptare, ndërkaq njoftoi kapjen e të gjashtë agjentëve të mbështetur nga Amerika dhe filloi një gjyq në prill të vitit 1954.

Kur Zogut iu lejua më në fund të largohej nga Egjipti në korrik të vitit 1955 pasi pagoi gjoba dhe detyrime të ndryshme, ai dhe familja e tij ikën në Francë.

Asokohe mbreti ishte shumë i sëmurë nga ulcera e stomakut për një udhëtim transatlantik. Prona “Knollwood” që nuk u vizitua kurrë prej tij – sapo u shit.

Marrë dhe përshtatur nga Mental Floss për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore