Shqipëria

Zjarri në Komisariatin Kamëz, AMP arreston dy oficerë


Një zjarr i madh në Komisariatin e Kamzës, ka rezultuar fatal për shtetasin 26-vjeçar Arben Mici, i cili gjendej i arrestuar për shkak të dhunës që kishte ushtruar ndaj nënës së tij, teksa një i burgosur tjetër dhe një punonjës i Policisë, kanë mbetur të plagosur.

Mbi këtë ngjarje, ka ardhur edhe reagimi i menjëhershëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku dy oficerë sigurie janë vënë në pranga dhe tre punonjës të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Sipas hetimeve paraprake nga AMP, pakujdesia dhe mosndjekja e procedurave nga këta punonjës, ka çuar edhe në shkaktimin e zjarrit në komisariat.

“Pas hetimeve paraprake, janë krijuar dyshime të bazuara në fakte dhe prova ku si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të punonjësve të Policisë të këtij komisariati, të cilët nga pakujdesia dhe në kundërshtim me procedurat standarde dhe rregullat teknike të trajtimit të personave të ndaluar dhe arrestuar, kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga shtetasit e arrestuar A.M. dhe D.I., të cilët kanë shkaktuar zjarrin në këto ambiente”.

Kështu shkruhet në raportin e AMP.

Të arrestuarit, janë inspektorët F.I., 64 vjeç dhe H.B., 64 vjeç. Të dy, me rolin e oficerëve të sigurisë.

Të proceduar në gjendje të lirë ndërkohë, janë dy inspektorë, L.M., 64 vjeç dhe M.M., 52 vjeç, si edhe komisari Y.Ç., 44 vjeç.

Nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë qëllim vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, përcaktimin e saktë të vatrës së zjarrit dhe mjeteve që kanë shërbyer për vënien e zjarrit në ambientet e brendshme të dhomave të paraburgimit të këtij Komisariati, nga ekspertët e shërbimit zjarrfikës, ndërsa grupi hetimor vijon edhe gjatë ditës së sotme këqyrjen e vendit të ngjarjes për mbledhjen e provave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore