Shqipëria

Zjarri në Karaburun, ndërhyn për të shuar flakët helikopteri holandez


Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë ka bërë me dije se në Dukat dhe Gjirin e Gramës janë riaktivizuar dy vatra zjarri.

Për këtë arsye ka ndërhyrë edhe helikopteri ‘Chinook’ nga Holanda me kapacitet ujëmbajtës 10 mijë litra. Ai ka nisur punën prej dy orësh nga Pashalimani për fikjen e zjarreve në Karaburun.

Ashtu siç u paralajmërua dhe më herët në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes në Holandë, dy gjigantët e transportit Chinook’s mbërritën në Tiranë me një mision të qartë.

Të shtunën e 7 gushtit, së bashku me helikopterin e Republikës Çeke, mjetet e specializuara do të përpiqen të shpëtojnë Llogoranë dhe pasuritë e saj natyrore, apo për të ndaluar dhe mësymjen e zjarrit në Karaburun.

Misioni “Vlora” u bë i qartë që në nisje, pasi sipas deklaratës së ministres holandeze, “Chinooks do të mbushen me ujë nga Gjiri i Vlorës” – për të vijuar më pas me operacionet e tyre të shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve.

Kujtojmë që këta helikopterë janë aq të specializuar sa kërkohen gjerësisht për shuarje zjarresh edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Veçantia e tyre qëndron tek fakti që helikopterët mundësojnë ndërhyrjen nga ajri nëpër ato zona ku nuk munden zjarrfikësit, si rasti i Shqipërisë.

Chinook-s janë të pajisur me të ashtuquajturën kovë bambi, duke e bërë të specializuar për shuarjen e zjarreve. Në të vërtetë, kova është një thes fleksibël, që mund të përdoret për të hedhur 10 mijë litra ujë drejt vatrave të zjarrit.

Situata me zjarret

Zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, bashkia Finiq ka rënë në një terren të vështirë, por po mbahet nën kontroll për të shmangur rrezikun e banesave.

Një zjarr i rënë në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier ka angazhuar forcat operacionale prej orësh, të cilët po punojnë për ta mbajtur nën kontroll. Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe helikopteri i ardhur nga Çekia.

Zjarri në Majën e Rrunës, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, aktualisht po mbahet nën kontroll, për të mos e lënë të përhapet në zona të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë forcat nuk mund të ndërhyjnë dot në të gjithë zonën.

Gjithashtu, zjarri  pranë luginës së Valbonës, fshati Klysyrë, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropojë nuk ka përhapje dhe aktualisht është tërësisht i kontrollueshëm e me intensitet të ulët.

Puna e forcave të emergjencave civile po vijon për të mbajtur nën kontroll flakët edhe në vatrat e hapura në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë si dhe në fshatin Munellë-Domgjon, po në këtë bashki.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore