Shqipëria

Zhvilloi takim me Krajën, Felaj: Kallëzim penal në SPAK ndaj Tabakut


Anëtarët e Komisionit Hetimor për Inceneratorët nga radhët e Partisë e Partisë Socialiste kanë bërë me dije se do të kallëzojnë penalisht kryetaren Jorida Tabaku.

Kjo e fundit pa qenë e mandatuar nga ky komision ka zhvilluar takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, sipas zëvëndëkryetares së PS-së Ermonela Felaj.

“Sipas deklarimeve që keni bërë gjatë ditës së sotme, ju qartësisht keni kërkuar që të nxisni SPAK për të vepruar konform interesave politik të PD-së. I keni ofruar mbështetje politike SPAK-ut, keni ofruar dokumente në dispozicion ende pa marrë një vendim Kuvendi”, tha Felaj në fjalën e saj.

Sipas kësaj të fundit Tabaku do të kallëzohet në SPAK për veprën penale “Të ushtrimit të ndikimit të partisë në mënyre të paligjshme që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.

“Tabaku është duke shkelur ligjin pikë për pikë”, tha ndër të tjera Felaj.

Sipas Felajt në momentin që mbaron hetimi ajo do t’i drejtohej SPAK-ut për t’i dorëzuar raportin.

“Asnjë deputet nuk ka të drejtë të marrë dokumente nga këtu dhe t’i çojë diku tjetër. Ky komision nuk është ngritur vetiu, i detyruar t’i përmbahet detyrimeve që i ka caktuar Kuvendi i Shqipërisë”, tha ndër të tjera Felaj.

Felaj iu drejtua Tabakut se, “në mënyrë flagrante shkon e zhvillon takime dhe i përdor publikisht për të thënë kemi marrë mbështetje nga SPAK-u. I kërkojmë SPAK-ut të marrë këtë qëndrim dhe të fillojë ndjekjen penale ndaj zonjës Tabaku”.

“Ndërhyrja në këtë mënyrë, është ndërhyrje flagrante që kompromenton ligjin, punën. Prokurorët janë të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre”, e përmbylli Felaj duke bërë me dije se ky kallëzim do t’i vihej në dispozicion edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore