Kosova

Zhvillimet në rajon dhe zgjedhjet evropiane, diskutohen mes Kurtit dhe rrjetit socialdemokrat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe rrjeti socialdemokrat “Friends of Western Balkans”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten është takuar me rrjetin socialdemokrat “Friends of Western Balkans”, me të cilët ka diskutuar për zgjedhjet evropiane që pritet të mbahen me 9 qershor dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen e Bashkimin Evropian.

Takimin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate dërguar mediave.

“Rrjeti u mblodh sot në Prishtinë ku biseduan për çështje të ndryshme, përfshirë zhvillimet në rajon apo edhe zgjedhjet evropiane të 9 qershorit”.

Ai tutje ka paraqitur edhe sfidat në të cilat po kalon Kosova drejt rrugës së integrimit evropian.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht të rajonit dhe të procesit të zgjerimit. Sot tre vite pas fillimit të Qeverisë së tij, kryeministri paraqiti arritjet e saj sociale, ekonomike dhe demokratike, dhe gjithashtu sfidat që mbeten në rrugën e Kosovës dhe të rajonit drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë.

Kurti, po ashtu shprehu mirënjohje ndaj tyre për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës gjatë tri viteve të fundit.

“Veçanërisht në Parlamentin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, për të fituar liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova kërkon sot dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kishin vendosur në maj të 2023-së që zgjedhjet e ardhshme evropiane të mbahet më 6 dhe 9 qershor 2024.

Sipas vendimit, që e ka bërë të ditur Këshilli i BE-së, qytetarët e 27 vendeve anëtare do të zgjedhin 705 deputetë të Parlamentit Evropian, për mandatin nga viti 2024 deri në vitin 2029.

BE-ja zakonisht cakton një afat katërditor, brenda së cilit, vendet anëtare duhet të mbajnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në disa vende, si Holanda, votohet gjithmonë ditën e enjte, ndërsa shumë vende, tradicionalisht zhvillojnë zgjedhjet gjatë fundjavës, kryesisht ditën e diel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore