Sport

Zhegrova realizon dopietën e radhës për Lille


Edon Zhegrova ka treguar edhe një herë formën e tij të shkëlqyer në Ligue 1, ku ka shënuar një dopietë të radhës për ekipin e tij Lille, edhe pse këta të fundit nuk kanë shkuar dot përtej një barazimi me rivalët e Strasbourg.

Në një takim krejtësisht të hapur, Zhegrova i dha avantazhin e hershëm Lille-s, duke shënuar në minutën e 15-ë dhe më pas i dyfishoi shifrat në minutën e 27-ë, përmes një aksioni personal.

Miqtë e Strasbourg gjithsesi nuk u demoralizuan nga forma e shkëlqyer e lojtarit të Kosovës dhe në minutën e 30-ë gjetën rrugën e rrjetës, duke ngushtuar diferencës. Teksa, në të 42-ën, arritën të gjenin edhe barazimin, me golin e Emanuel Emegha.

Pjesa e dytë nisi e vrullshme nga të dyja palët, kur në minutën e 56-ë miqtë shënuan me Santos, për të parë golin të anuluar nga teknologjia VAR.

Pavarësisht kësaj ata i vazhduan sulmet dhe në të 66-ën, Emegha bëhet asistues kësaj here dhe i mundëson Sebastian Nanasi-t të çojë shifrat në 2 me 3 për Strasbourg.

Ekipi i Zhegrovës, Lille, nuk e pati të lehtë të gjente rrugën e kthimit, por në të 84-ën, David ktheu sërish gjithçka në baraspeshë, përmes një goditjeje nga pika e bardhë e penalltisë.

Minutat e mbetura mbetën në “paqe” mes dy ekipeve, duke vulosur kështu një barazim të vlefshëm me shumë gola për ekipet e mesit të tabelës, në javën e pestë të kampionatit francez.

Në pesë takime, Lille e Zhegrovës ka arritur të grumbullojë shtatë pikë, duke u radhitur në vendin e tetë aktualisht, por me disa ekipe poshtë vetes, të cilat kanë ende një ndeshje për të luajtur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore