Kosova

“Zhdukja e mostrave të Deharit”, pas Abazit, prokuroria mund ta intervistojë edhe Kurtin


Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë për Albanain Post se do ta ftojë për ta intervistuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazin, pasi ky i fundit në një konferencë për media, ka bërë të ditur se është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Vendi për të dëshmuar është këtu dhe do ta thërrasim Haki Abazin të hënën”, tha Isufaj.

Kur është pyetur nëse do ta ftojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun për t’i intervistuar, ai ka theksuar se këta të fundit “nuk do t’i ftojmë njëherë”.

Po ashtu më vonë Prokuroria përmes një njoftimi për media ka njoftuar se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ai është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Hulumtim im i fundit dhe pyetjet që i kam shtruar, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi dhe anatemimi brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Si është e mundur që në pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë”, pyet fillimisht ai.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore