Lajme

Zhdukja e gazetarit në Brazil – “Nuk ka prova të një krimi”, thotë Policia


Autoritetet në Amazon të Brazilit, të cilët po hetojnë zhdukjen e një gazetari britanik dhe një avokati indigjen, nuk kanë gjetur ende ndonjë provë të një krimi tri ditë, pasi burrat u zhdukën në një cep të largët të pyllit tropikal.

Policia në perëndim të Brazilit të mërkurën tha se hetimet e tyre për zhdukjen e Dom Phillips, një bashkëpunëtor i vjetër i Guardian dhe Bruno Araújo Pereira, një avokat për indigjenët, kishin çuar në arrestimin e një burri.

I dyshuari u kap në posedim të drogës, një armë gjahu dhe municione të kufizuara për përdorim ushtarak.

Më herët, gjatë ditës, burimet policore thanë se kishin arrestuar një burrë të quajtur Amarildo da Costa de Oliveira për akuza të ngjashme.

Avokati Bruno Araújo Pereira dhe gazetari Dom Phillips

Megjithatë, shefi i policisë së shtetit të Amazonas gazetarëve u tha se ishte shumë herët për të lidhur ndonjë të dyshuar drejtpërdrejt me zhdukjen e dyshes.

“Ne ende nuk kemi një tregues të fortë se një krim është kryer”, deklaroi policia.

Da Costa, i cili njihet me emrin Pelado u raportua se kishte kërcënuar Phillips, Pereiran dhe një grup prej 13 banorësh indigjenë të shtunën në mëngjes.

Një dëshmitar i takimit për The Guardian tha se Da Costa dhe dy burra të tjerë të armatosur kërcënuan grupin, ndërsa ata u ndaluan në anën e lumit Itaquaí në shtetin Amazonas.

Varka e Da Costa-s u sekuestrua më vonë nga policia.

Pereira, 41 vjeç, i cili shërbente si avokat për një kohë të gjatë i fiseve indigjene në një zonë të madhe dhe të largët të xhunglës, kishte marrë kërcënime me vdekje për punën e tij, duke ndihmuar në mbrojtjen e grupeve indigjene nga trafikantët e drogës dhe minatorët e paligjshëm, druprerësit dhe gjuetarët që lakmojnë tokën në një rajon të pasur me burime natyrore.

Ai dhe Phillips u panë për herë të fundit të dielën në mëngjes, teksa udhëtonin me varkë nëpër rajonin Javari të shtetit Amazonas.

Ata po ktheheshin nga një udhëtim raportimi dyditor, por nuk arritën në qytetin Atalaia do Norte, ashtu siç ishte planifikuar.

Ndërsa rasti zuri titujt kryesorë në Brazil, personalitete nga bota e sportit dhe e artit bënë thirrje që të humburit të gjenden.

Tri herë fituesi i Kupës së Botës Pelé postoi mbështetjen e tij, po ashtu edhe sulmuesi i Everton-it dhe Kombëtares së Brazilit, Richarlison dhe Walter Casagrande, një ish-lojtar brazilian që tani është një transmetues i njohur sportiv.

Këngëtarja Gaby Amarantos, aktorja Camila Pitanga dhe Sonia Guajajara, një udhëheqëse indigjene, e cila u zgjodh kohët e fundit një nga njerëzit më me ndikim të vitit 2022, të gjithë bënë thirrje në mediat sociale, ashtu si dhe klubi i futbollit Corinthians.

Ekziston një zemërim i konsiderueshëm për mungesën e urgjencës së treguar nga autoritetet braziliane dhe, veçanërisht, ndaj presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro.

Kërkimi është përfshirë nga vonesa dhe deklarata kontradiktore nga zyrtarët ushtarakë brazilianë në krye të rajonit.

Në 24 orët e para, pas raportimit të zhdukjes së tyre, ushtria tha se ishte në pritje të urdhrave përpara se të mobilizohej.

Shefat e sigurisë pohuan se operacioni i kërkimit ishte zgjeruar deri të mërkurën me 250 persona, dy avionë, tre drone dhe 16 anije.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore