Film

Zgjim Hyseni: Big Brother është një shfaqje pa lojë; një kënaqësi me kurgjo


Big Brother

Shkrim nga Zgjim Hyseni, politikan. 

Nuk duhet veç persiatje teorike për me kuptu hiçin si ekzistencë mohuese. Shikojeni Big Brother. Shterpësia në hiper-realitet, po bën spektakël. Pse me prodhu drama?! Pse me ba filma?!

Ma e lehta është me thanë se kjo është pasqyra e shoqërisë. Bash pasqyra është sherri. Në psikanalizë faza e pasqyrës është momenti i parë i subjektit. Kjo pikërisht sepse foshnja e gjen veten si trup unik dhe të veçuar nga bota: momenti ky jam unë. Kjo është edhe mundësia për një raport, për tjetrin.

Në sociologji të kulturës, shoqëria si pasqyrë e vetes është mungesë raporti. Është perhumbje dhe pamundësi reflektimi.

Big Brother është i tejdukshëm, s’ka dikotomi brenda-jashtë, as formë-përmbajtje. Mosmarrëveshja në gjuhë prodhon heterogjenitet, prandaj është kusht për artikulim të dinamikave shoqërore dhe mundësi reflektimi. Mos t’habitemi, grindje ka, por veç deri te loja e kërkim-faljes, ose dënimi i vëlla budallës. S’ka rëndësi në cilën anë të ekranit je, televizori nuk projekton, është pasqyra jote.

Big Brother është e kundërta e emrit. Subjekti i tij nuk është ai i totalitarizmit që kujdeset për sjelljet sepse e din se po mbikëqyret. Porosia është bashkohore: gjithçka lejohet. Korniza është eksploatimi i ndjeshmërive. Lejueshmëri pa skaj – jouissance. Gjithçka: qaj, qesh, puth, rrej, inatosu, rrehu.

Big Brother t’i nxjerr me dana teket, dobësitë, maniret. Por, ideologjia qëndron te besimi se kështu po e sfidon konservatorizmin, se diçka e tillë po t’çliron. Si shoqëri të gjitha të mirat publike i kemi privatizuar, ama intimitetet dhe gjërat që duhet me mbet personale po i hapim për botën.

Janë televizione private, – po thonë, ata s’kanë detyra edukimi. Me qenë të sinqertë, e kishin thanë në formë pohuese dhe imperative këtë gjë: veç paret kanë rëndësi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore