Jetesë & Stil

Zgjidhja për rezultatet e dobëta në testime gjendet në familje


Gati tre vite pas pandemisë, rezultatet e testeve të nxënësve nuk janë aty ku shpresonin mësuesit.

Qendra Kombëtare për Statistikat e Arsimit, një degë e Departamentit të Arsimit të SHBA-ve, çdo vit ofron një provim për nxënësit e klasës së katërt dhe të tetë në matematikë dhe gjuhë.

Referuar rezultateve, vlerësimi i këtij viti tregoi se nxënësit mbetën prapa në gjuhë dhe kishin rënien më të madhe ndonjëherë në matematikë.

Rënia mund të jetë shqetësuese, por nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh ndërprerjen e madhe të të mësuarit gjatë dy viteve të para të pandemisë.

Kështu, nevojiten energji dhe përpjekje nga ana e politikëbërësve, edukatorëve, studentëve dhe familjeve të tyre.

Nga ana tjetër, familjet duhet të kujtojnë se testet nuk janë parashikuesit më të mëdhenj të suksesit në të ardhmen.

Ekspertët i inkurajojnë prindërit të shikojnë se si t’i mbështesin fëmijët e tyre që të bëhen të suksesshëm përpos kurikulës shkollore.

Ajo që një nxënës i klasës së parë duhet të arrijë është ndryshe nga ajo që i nevojitet një nxënësi të klasës së nëntë, por përqendrimi në strategji mund t’i ndihmojë ata që të kapërcejnë pengesat e të mësuarit në çdo fazë.

Mësimi në familje është një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar aftësitë që fëmijët kanë nevojë.

Mund t’i tregohet fëmijës për ato momente kur keni pasur vështirësi me diçka dhe keni kërkuar ndihmë ose keni ngecur me një problem që nuk dinit si ta zgjidhnit.

Këto aftësi mund të mos jenë materiali mbi të cilin testohen, por të dish se si të marrësh mbështetje dhe të rikthehesh nga vështirësitë, i forcon nxënësit.

Qoftë edhe grumbullimi i disa fëmijëve për të lexuar histori për të cilat janë të ngazëllyer ose që më të rriturit shohin se familja e tyre përfshihet në matematikë dhe letërsi, mund t’i ndihmojë ata dhe familjet të investojnë në mësim.

Kombinimi i argëtimit dhe të mësuarit është çelësi për të rritur nxënës të mirë. Të ndihesh pozitiv dhe të investosh në të mësuar është një nisje e bukur.

Pavarësisht nëse keni një nxënës të klasës së katërt apo të tetë, rekomandohen lojëra për të ndërtuar aftësitë e të menduarit, besimin në aftësitë e fëmijëve dhe kujtesën e tyre.

Nëse dëshironi që fëmijët të dalin mirë në shkollë, bëni mirëqenien e tyre prioritet. Shëndeti i tyre i përgjithshëm, sipas ekspertëve, sjell edhe performancë të mirë në shkollë.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore