Kosova

Zgjedhjet më 9 shkurt: Opozita i mirëpret


Ilustrim: Një qytetar duke votuar

Kosova do të mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt 2025. Pushteti nuk është deklaruar. Opozita i ka mirëpritur.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten e 16 korrikut, përmes dekretit, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese, caktoi datën e zgjedhjeve të reja.

Në dekretin e nënshkruar nga Osmani, presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Caktimi i datës së zgjedhjeve vjen pas takimit që e para e vendit ka pasur me partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Pushteti, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse nuk mori pjesë në takimin e thirrur nga presidentja, përmes një letër të dërguar nga kreu i saj, njëherit kryeministri Albin Kurti, ka propozuar 2 shkurtin si datën për zgjedhje të reja.

Nga ana tjetër, opozita – Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që morën pjesë të gjithë në takim, njëzëri kanë propozuar 26 janarin si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Mirëpo, Osmani nuk ka vendosur për asnjërin nga këto dy propozime, por për një datë tjetër, 9 shkurtin.

Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.

Pasi që Osmani mori vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve, reaguan të gjithë liderët e opozitës, por jo ende edhe kryeministri Kurti.

I pari ishte Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi, i cili kishte kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar, e ka konsideruar si të “panevojshme” këtë shtyrje nga ana e presidentes, ndonëse ka theksuar se kjo çështje aktualisht ka pak rëndësi.

Mbi të gjitha, për liderin e opozitës e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila, sipas tij, “do të shënojë ikjen e një qeverie të papërgjegjshme”, duke iu referuar asaj të Albin Kurtit, dhe “ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”, i cili është nominuar zyrtarisht nga PDK si kandidat për kryeministër.

“Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, përfundoi.

Reagim pati edhe nga kandidati i PDK-së për Kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza.

9 shkurti i 2025-së, për Hamzën, është dita që do ta përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit.

“Unë besoj fuqishëm në kapacitetin tonë për t’u ngritur mbi çdo pengesë dhe për ta ndërtuar shtetin modern, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”, shkroi Hamza në Facebook.

Nominimin për Kryeministër, Kryetari i Mitrovicës theksoi se e ka pranuar “që të udhëheq me përgjegjësi, transparencë e ndershmëri, duke përfaqësuar interesat tuaja dhe duke i vënë nevojat e qytetarëve në qendër të çdo vendimit tim”.

“Kjo është një rrugë që nuk mund ta përshkoj i vetëm. Prandaj, ju ftoj të gjithëve të bashkoheni me mua për ta ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të bashkuar dhe më të drejtë. Së bashku mund të bëjmë ndryshimin që kemi pritur”, shtoi.

Është koha, në prizmin e Hamzës, “për të besuar në të ardhmen tonë dhe për t’u angazhuar që 9 shkurti 2025 të jetë dita kur fillon një kapitull i ri për Kosovën”.

Më i shkurtër në reagim ishte Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai tha “le të bëhemi bashkë!”, dhe shtoi se më 9 shkurt, “le të ringritemi si një!”.

“Vit i ri, Rrugë e re! Lidhja Demokratike e Kosovës dje, sot, përherë!”, shkroi shkurtimisht lideri i opozitës në Facebook.

Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas dekretit të Osmanit tha se “po vjen koha e ndryshimit”.

“Aleancë, Nismë, Konservatorë, Intelektualë, Diasporë dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës, po vjen koha e ndryshimit. Po vjen koha e bashkimit”, shkroi ish-kryeministri në Facebook.

Ai potencoi se kjo është koha që “ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale!”.

Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.

Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.

Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.

Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore