Shqipëria

Zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Celibashi apel qytetarëve: Kontrolloni mjetin e identifikimit


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mesditën e 26 janarit i ka bërë apel qytetarëve që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre të identifikimit.

Apeli i tij ka ardhur për të gjithë ata që kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e pjesshme lokale më 6 mars.

“Të gjithë qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnje, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, dhe/ose mbushin 18 vjeç në datën 6 mars, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së tyre nëse dokumenti i identifikimi (kartë identiteti/pasaportë) nuk është i vlefshëm në datën e zgjedhjeve”, cilësohej në njoftimin e Celibashit.

Më tej ai ka theksuar se nuk mund të votohet pa një mjet identifikimi, prandaj u bëri thirrje që nëse vlefshmëria e dokumentit të identifikimit ka skaduar apo skadon në datën 6 mars, të mos e lënë për në momentin e fundit.

“Qytetarët mund të drejtohen pranë zyrave ‘Aleat’, për të aplikuar për rinovimin e tyre”, theksohej në njoftim.

Në përfundim Celibashi ka dhënë një mesazh që, “sigurohuni që në ditën e votimit të keni dokumentin e identifikimit tuaj të vlefshëm”.

“Të votosh është e drejtë por edhe përgjegjësi qytetare”, e përmbyll Komisioneri mesazhin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore