Shqipëria

Zgjedhjet 2025/ Kujt kanë zgjedhur t’u besojnë Partia Demokratike dhe Socialiste


Dy partitë më të mëdha të vendit, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, zyrtarisht i kanë ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do të mbahen në 2025-ën.

Brenda javës si selia blu dhe ajo rozë zgjodhën emrat që do të drejtojnë politikisht qarqet.

Debate, prurje të reja, ikje të vjetra, mos/përfaqësim nga gratë janë cilësitë e këtyre përzgjedhjeve.

Në një krahasim të parë mes dy listave, ndryshimi kryesor është mungesa e besimit që forca blu ka te fuqia e grave.

Në 12 qarqet e vendit as edhe një drejtuese grua. Kjo ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021, ku të paktën në Tiranë u vendosën emrat e Jorida Tabakut, Albana Vokshit dhe Grida Dumës.

Nga ana tjetër PS-ja do t’ua besojë disa nga qarqet pesë figurave politike: Elisa Spiropalit, Ogerta Manastirliut në Tiranë, Emiriana Sakos në Durrës, Belinda Ballukut në Fier dhe Mirela Kumbaros në Gjirokastër.

Në qarkun e Tiranës, PD ndryshe nga zgjedhjet e fundit ka zgjedhur të përfaqësohet vetëm me një drejtues, Belind Këlliçi, i cili në zgjedhjet lokale humbi garën për drejtimin e kryeqytetit.

Sa i takon PS-së i vetmi ndryshim për Tiranën është ardhja e Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit.

Kjo e fundit e ka drejtuar qarkun e Tiranës dhe në zgjedhjet e vitit 2021 së bashku me Ervin Bushatin.

Erion Veliaj (kryetari i Bashkisë) mbetet i pandryshuar.

Në Durrës, PS-ja ka zgjedhur kryetaren e bashkisë, Emirjana Sako, për të drejtuar qarkun – duke hequr Ardian Çelën.

Ndryshime ka edhe për PD-në në Durrës, ku ikën Edi Paloka (drejtues 2021) dhe vjen Oerd Bykykbashi, i cili e ka drejtuar shpesh here degën blu të këtij qyteti.

Në Elbasan, PD-ja sërish ka bërë ndryshime duke lëvizur Gazment Bardhin (2021), drejtimi i të cilit nuk kaloi lehtë, por edhe me përplasjen famëkeqe ku mbeti i vrarë, Pjerin Xhuvani.

Tashmë në Elbasan drejtues politik është vendosur Ervin Salianji.

Sa i takon PS-së, qarku do të drejtohet nga Arbian Mazniku, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, Taluant Balla, drejtoi qarkun e Elbasanit për t’u zhvendosur në Fier në ato vendore.

Këtë herë ai do të drejtojë për herë të parë, Diasporën. Përballë tij nuk do të jetë asnjë figurë e selisë blu duke qenë se Diaspora është një prurje e socialistëve.

Damian Gjiknuri drejtues politik i socialistëve në Elbasan – në zgjedhjet vendore – këtë herë është lënë jashtë listës.

Sa i takon Shkodrës, PS-ja ka zgjedhur t’ia besojë kryetarit që fitoi për herë të parë Bashkinë, Benet Beci.

Vetë PD-ja ka zgjedhur që të dërgojë ish-kandidatin për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi.

Në Vlorë është përcaktuar drejtues politik për PS-në, Bledi Çuçi, i cili do të zëvendësojë Blendi Klosin, që mbetet pa asnjë qark.

PD duket se do të vijojë t’i besojë Bujar Leskajt për këtë qark.

Fieri është një tjetër qark ku PD-ja dhe PS-ja do të përplasen me dy figura të rëndësishme përkatëse.

Gazment Bardhi do të vendoset përballë zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, e cila ka drejtuar më parë Dibrën.

Në Lezhë PS-ja ka zgjedhur t’i besojë sërish Ulsi Manjës, dhe PD-ja Agron Gjekmarkajt, i cili është deputet i këtij qarku.

Kukësi është një tjetër qark që mbetet i pandryshuar duke u drejtuar nga Pandeli Majko i socialistëve dhe i pandryshuar mbetet gjithashtu drejtuesi i demokratëve, Flamur Hoxha.

Në Korçë besimi i socialistëve vijon të jetë në duart e Niko Peleshit, teksa selia blu ka sjellë Ivi Kason.

Edhe në Gjirokastër PS zgjedh t’i besojë sërish Mirela Kumbaros, dhe PD-ja nuk i heq duart nga Tritan Shehu.

Sa i takon Dibrës, PD ka zgjedhur Xhelal Mziun dhe PS ka sjellë një tjetër ministër, Blendi Gonxhja.

Qarku i fundit ai i Beratit do të drejtohet nga kryetari i bashkisë Ervin Demo dhe Enno Bozdo për PD-në.

Vetë Edi Rama në fjalën e tij hapëse, tha se sot hapet një kapitull i ri në jetën së kësaj partie, që do të niset drejt përballjes për mandatin e katërt qeverisës.

Sakaq edhe për Partinë Demokratike duket një kapitull i ri, ku është përcaktuar me vendim Gjykate se kush drejton kë dhe se nuk do të ketë më nevojë për t’u futur në garë me emër tjetër koalicioni.

Por ndryshe nga PS-ja, zgjedhja e drejtuesve të PD-së është përfshirë nga debati.

Kryesori: Hapje e opozitës, apo pamjaftueshmëri për të rritur kredibilitetin në sytë e publikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore