Lajme

Zgjatet paraburgimi i eurodeputetëve të dyshuar për korrupsion


Drejtësia belge zgjati të premten e 3 marsit edhe një herë paraburgimin e Eva Kaili-t dhe Marc Tarabella-s, dy deputetë të zgjedhur të Parlamentit Evropian të dyshuar për korrupsion në dobi të Katarit dhe Marokut.

“Ndalimi parandalues i këtyre dy të dyshuarve është zgjatur përkatësisht për dy dhe një muaj”, njoftoi prokuroria federale belge në një njoftim për shtyp.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Si eurodeputetja greke e burgosur për gati tre muaj, ashtu edhe belgu, gjithashtu një eurodeputet i pezulluar nga grupi socialist dhe demokrat (S&D), mohojnë akuzat.

Ata kishin apeluar kundër vazhdimit të paraburgimit të vendosur më 16 shkurt nga dhoma e këshillit të Brukselit, një gjykatë e kontrollit të udhëzimit.

Maxim Töller, avokati i Marc Tarabella-s, i akuzuar dhe i burgosur më 11 shkurt, ripohoi të premten se klienti i tij ishte “i pafajshëm”.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të nxjerrë një të pafajshëm nga burgu (…), ai nuk ka për çfarë të qortojë veten dhe nuk ka marrë asnjëherë para apo dhurata në këmbim të mendimeve të tij”, ka reaguar avokati në një deklaratë për media.

Në këtë hetim të bujshëm, tre persona ndodhen aktualisht në paraburgim në Belgjikë, të dyshuar se kanë ndërhyrë për disa vite në favor të fuqive të huaja në vendimet e Parlamentit Europian, kundrejt pagesave të parave.

Ata janë Eva Kaili, Tarabella dhe Pier Antonio Panzeri, ish-deputet i Parlamentit Evropian (2004-2019) dhe figura qendrore në këtë dosje.

Ky “i penduar” negocioi një dënim të kufizuar me burg në këmbim të angazhimit për t’u zbuluar hetuesve gjithçka që di për sistemin e korrupsionit të cilin ai pranoi se e kishte orkestruar.

Një i dyshuar i katërt, eurodeputeti italian Andrea Cozzolino, u arrestua dhe më pas u vendos në arrest shtëpiak më 11 shkurt në Itali.

Ai kundërshton para gjykatave italiane dorëzimin e tij në Belgjikë sipas një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Më në fund, asistenti i parlamentit Francesco Giorgi, i afërt me Panzeri-n dhe shoqërues i Eva Kaili, u vendos nën një byzylyk elektronik në fund të shkurtit, pas më shumë se dy muajsh paraburgim në Belgjikë.

Ai ishte pjesë e valës së parë të arrestimeve, më 9 dhjetor në Bruksel, kur hetuesit zunë në dorë 1.5 milionë euro cash të shpërndara në çanta apo valixhe.

Katari dhe Maroku kanë mohuar fuqimisht në tre muajt e fundit se ata ishin në origjinën e ndonjë korrupsioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore