Lajme

Zgjatet ligji i luftës në Ukrainë


Për 90 ditë të tjera, në Ukrainë do të mbahet në fuqi ligji i luftës, i cili detyron çdo person mashkull, prej moshës 18 deri në moshën 65 vjeç, të mos dalë nga territori dhe të jetë i përgatitur për të luftuar për kombin.

Ky është vendimi i fundit i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili e ka nënshkruar tashmë zgjatjen e dekretit.

Për herë të parë, ky ligj u vendos më 24 shkurt 2022, datë kjo, e cila shënjon edhe fillimin e agresionit rus në Ukrainë.

Periudha fillestare e parashikuar, ishte prej 30 ditësh. Më pas, ajo u shty sërish, duke parë se lufta ende vazhdon, mbi të gjitha në pjesën lindore të vendit.

Javën e shkuar, ishte ministri i Mbrojtjes, ai i cili tha se shpresonte të armatoste 1 milion persona, të cilët kishin shprehur vullnetin për të luftuar për vendin e tyre. Kjo, për shkak se palët mendojnë se luftimet mund të zgjasin shumë në kohë, tashmë që Moska nuk korri sukses në rrëzimin e Qeverisë së Kievit.

Një “periudhë e gjatë luftimesh” mendohet të jetë më se e mundur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët janë rreshtuar qartësisht në krah të ukrainasve dhe po përpiqen të ndihmojnë ushtarakisht dhe ekonomikisht vendin e Evropës Lindore, t’i bëjë ballë mësymjes ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore